Pas shumë orësh nga akti makabër i vrasjes së gruas shtatzënë, vjen reagimi nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Përmes një statusi në Facebook, Sveçla ka kërkuar nga Inspektorati Policorë i Kosovës të nis hetime ndaj policëve që ishin përgjegjës për sigurinë e gruas së ndjerë, shkruan Insajderi.
Ai thotë se ka kërkuar angazhim maksimal për kapjen e të dyshuarit për vrasje i cili ndodhet në arrati.
Posimi i plotë:
Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti i saj.
Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili.
Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces.
Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër.
Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës.
Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë.