
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke komentuar situatën në Ukrainë, ka thënë se ky është moment i rëndë për sigurinë në Evropë.
“Ne kemi një luftë në Evropë, të shkallës dhe llojit që kemi menduar se i përkiste historisë”.
Ai ka thënë se ka përfunduar një takim me zyrtarë të NATO-s dhe një listë të gjatë të shteteve që janë pajtuar për të mbajtur konsultime urgjente.
Stoltenberg ka thënë se sulmi “i pajustifikuar dhe i paprovokuar” ndaj Ukrainës është duke vënë në rrezik jetët e shumë njerëzve.
Sipas tij, Rusia ka nisur sulmet nga toka dhe ajri nga drejtime të ndryshme, duke shënjestruar infrastrukturën ushtarake dhe qendrat e qyteteve urbane të Ukrainës.
“Ky është një pushtim i qëllimshëm dhe gjakftohtë që është planifikuar gjatë”, ka thënë ai.
Stolteneberg ka thënë se liderët rusë do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre dhe jetët e humbura.