Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur sot takim me krerët e partive opozitare.
Pas takimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi bëri të ditur se kanë diskutuar për situatën në veri të vendit.
“Siç e dini unë dje ja kam dërguar një letër kryeministrit ku ja kam shprehur shqetësimin për situatën në veri. Kemi hy në një fazë ku po shihet se nuk ka epilog të qartë. Më vjen mirë që ka reflektuar dhe na ka ftuar në takim. Patëm diskutim rreth situatës se si ka ardhur deri këtu”, ka thënë Krasniqi, përcjell Insajderi.
Ai ka theksuar se nuk e din sigurt se çfarë veprime do të marrë qeveria lidhur me dorëheqjet e serbëve.
“Nuk mund të them se dola me siguri të madhe se qeveria e din se çfarë veprimi do të ndërmarrë për ta marrë situatën nën kontroll. Ja shpreha qëndrimin e PDK-së se në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme. Sa i përket vazhdimësisë të shtrimit të sovranitetit në katër komunat veriore duhet të marrë veprime që i takojnë dhe do e ketë përkrahjen e PDK-së”, ka deklaruar Krasniqi.
Duke iu referuar Kurtit, i pari i PDK-së ka thënë se papjekuria në disa veprime dhe mungesa e koordinimit me aleat kanë sjellë një momentum që ka mundur të shmanget.
“Është obligim i të gjithëve që Kosovën ta vendosim si prioritet. Ne kemi diskutuar edhe për procesin e dialogut, edhe për propozimin franko-gjerman. Unë e kam thënë në vend se të fokusohemi për arritjen e marrëveshjes finale ne sot po merremi me tema sporadike dhe teknike”. /Insajderi