Nën rrethana të dyshimta po vazhdon të mbetet ende vdekja tragjike e 30-vjeçares nga Malisheva, e cila ndërroi jetë më 2 gusht 2024 në QKUK. Edhe pas më shumë se tre muajsh nga kjo ngjarje, Prokuroria e Shtetit është ende në pritje të raportit përfundimtar të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), duke zgjatur hetimet për shkaqet e sakta të vdekjes së saj.
Familja e viktimës ka ngritur akuza për trajtim të papërshtatshëm dhe neglizhencë ndaj Spitalit Amerikan në Prishtinë, ku e reja kishte kryer dy ndërhyrje kirurgjikale për probleme me veshkat, të cilat, sipas tyre, çuan në përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore.
Pas këtij trajtimi të dyshuar si të gabuar, e reja u shtrua në QKUK në gjendje kritike, ku më vonë ndërroi jetë. Prokuroria ka hapur hetimet që nga gushti, por raporti i autopsisë ende nuk është përfunduar.
“Ju njoftojmë se ditën kur është raportuar rasti në fjalë, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për autopsi për trupin e pa jetë, e po ashtu, ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të ndriçimit të të gjitha rrethanave të kësaj vdekjeje”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë me 14 gusht.
Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se analizat histopatologjike të nevojshme për të finalizuar autopsinë janë vonuar për shkak të vëllimit të punës në laborator.
“Ju njoftojmë se rasti në fjalë është ende në pritje të rezultateve të analizës histopatologjike (mikroskopike). Këto analiza varësisht nga vëllimi i punëve në laborator mund të vonohen për më tepër se disa muaj. Sapo të jenë gati mostrat për ekzaminim mikroskopik ato do të ekzaminohen nga histopatologët, të cilët në fund do të dalin me një raport histopatologjik i cili do t’i bashkëngjitet raportit përfundimtar të autopsisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Reporterin.
Në ndërkohë, Spitali Amerikan nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë publike mbi këtë rast, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga media për sqarime./Insajderi