Pas vendimit të Gjykatës Supreme, “Prishtina Parking” vazhdon të pranojë pagesa – ndërmarrja thotë se çmimorja nuk është shfuqizuar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas vendimit të Gjykatës Supreme, “Prishtina Parking” vazhdon të pranojë pagesa – ndërmarrja thotë se çmimorja nuk është shfuqizuar

    Insajderi
    16 June 2025 - 14:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Edhe pse Gjykata Supreme e Kosovës ka pezulluar rregulloren që rregullon funksionimin e ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”, qytetarët raportojnë se pagesat për parkim përmes mesazheve telefonike po vazhdojnë të ekzekutohen, duke ngritur dyshime për zbatimin e vendimit gjyqësor.

    Në përgjigje ndaj pyetjeve të adresuara nga Insajderi ndërmarrja “Prishtina Parking” ka sqaruar se është në proces të plotësim-ndryshimit të Rregullores në koordinim me Komunën e Prishtinës, duke marrë për bazë gjetjet dhe rekomandimet e Gjykatës Supreme të përfshira në aktgjykimet PA.nr.02/2025 (datë 16.04.2025) dhe PA.nr.2/2025 (datë 14.03.2025), si dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “Prishtina Parking” pohon se është duke e zbatuar në çdo aspekt vendimin e Gjykatës Supreme, por thekson se ky vendim nuk e ka shfuqizuar çmimoren, ndaj veprimtaritë dhe format ekzistuese të pagesës, përfshirë pagesat me para të gatshme dhe ato përmes telefonit, vazhdojnë të jenë aktive.

    “Rrjedhimisht, ky vendim nuk e ka shfuqizuar çmimoren. Duke pasur parasysh faktin se Ndërmarrja gjithmonë ka ofruar disa alternativa të pagesave. Format e pagesës janë me para të gatshme për bileta fizike edhe përmes sistemeve telefonike e po ashtu edhe përmes formave tjera. Këto forma janë aktive që nga themelimi i Ndërmarrjes” thuhet në përgjigje, duke lënë të kuptohet se nuk ka një pezullim teknik të sistemit të pagesës përmes SMS-it.

    Në lidhje me pyetjen se sa mjete janë deponuar në llogarinë e ndërmarrjes që nga data e vendimit të Gjykatës, “Prishtina Parking” nuk ka dhënë një shifër të saktë, ndërkohë që nuk është komentuar as mundësia e rimbursimit të qytetarëve për pagesat e realizuara pas vendimit të pezullimit.

    Ndërmarrja ka deklaruar se aktualisht është duke u përballur me rritje të shqetësimeve nga qytetarët për kaosin në parkingje, dhe kjo, sipas tyre, është shtysë për të përshpejtuar ndryshimet në rregullore dhe kthimin e menaxhimit të plotë të parkimit në përputhje me ligjin.

    “Gjatë kësaj periudhe të vështirë dhe përballjes me vështirësitë e shkaktuara, në Ndërmarrje kemi pasur shumë telefonata dhe kërkesa nga qytetarët për shqetësimin lidhur me kaosin e krijuar në parkingje, dhe kjo na jep motiv që brenda kohës më të shkurtë pas plotësimit të rregullores, të kemi për menaxhimin e plotë të parkingjeve në pajtim me ligjin, e në këtë drejtim kërkojmë edhe mbështetjen tuaj dhe të gjithë qytetarëve dhe institucioneve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Në muajin maj të këtij viti, Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë një vendim të formës së prerë, përmes të cilit ka shfuqizuar disa dispozita kyçe të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve në Komunën e Prishtinës.

    Vendimi erdhi pas një padie të ngritur nga organizata “Qendra për Raste Gjyqësore”, e cila argumentoi se veprimet e “Prishtina Parking” binin ndesh me të drejtat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare.

    Gjykata konstatoi se ndërmarrja publike kishte vepruar përtej mandatit të saj ligjor, duke ndërmarrë masa ndëshkuese si bllokimi apo bartja e veturave pa vendime nga organet kompetente.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark