Refugjatët që kishin planifikuar të udhëtonin në Shtetet e Bashkuara pas një procesi shumëvjeçar dhe shpesh të ngatërruar, kanë parë se janë anuluar fluturimet e tyre me aeroplan, sipas një memorandum të Departamentit të Shtetit që iu shpërnda partnerëve të riintegrimit.
Memorandumi vjen pas urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump që pezulloi pranimin e refugjatëve dhe shënon një shembull tjetër të ndikimit të shpejtë që veprimet e tij kanë pasur. Ky hap do të prekë mijëra refugjatë që kishin tashmë fluturime të programuara.
“Te gjitha fluturimet e mëparshme të planifikuara për refugjatët drejt Shteteve të Bashkuara po anulohen dhe nuk do të bëhen rezervime të reja për udhëtime”, thuhet në memorandum, duke iu referuar urdhrit ekzekutiv të presidentit.
Anulimet mund të jenë veçanërisht shqetësuese për refugjatët, të cilët, për shembull, kanë ekzaminime mjekësore ose kontrolle sigurie që mund të skadojnë.
Memorandumi gjithashtu thekson se procesimi i rasteve është pezulluar, duke mbyllur efektivisht programin, shkruan cnn.
“Për më tepër, të gjitha aktivitetet për procesimin e rasteve të refugjatëve dhe ato para-nisjes janë gjithashtu pezulluar. RSC-të dhe IOM nuk duhet të transferojnë refugjatët në qendrat e kalimit për të pritur udhëtimin dhe duhet të ndalojnë të gjitha aktivitetet para-nisje për rastet e refugjatëve. Nuk duhet të bëhen referime të reja në USRAP”, vijon memorandumi.
Mbajtësit e Vizave të Posaçme të Imigrantëve, që përfshijnë ata që punuan për SHBA-në jashtë vendit, janë të përjashtuar. Ata mund të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara, sipas memorandumit. Refugjatët që tashmë janë në Shtetet e Bashkuara gjithashtu mund të vazhdojnë të marrin shërbime./Telegraf