Është anuluar konkursi për pozitën e ‘doktorit të Mjekësisë së Përgjithshme’ për Qendrën e Mjekësisë Familjare ‘Vezir Bajrami’ në Shtime pas ankesës së një kandidate për nepotizëm, shkruan Insajderi.
Në konkursin e hapur me 20 prill 2023 nga Komuna e Shtimes për katër doktorë të Mjekësisë së Përgjithshme, pas intervistës me gojë dhe testit me shkrim u përzgjodhën katër kandidatë.
Në mesin e kandidatëve fitues ishte vëllai i kryetarit Qemajl Aliu, Agon Aliu, dhe vëllai i UD drejtoreshës së QKMF’së, Pranvera Bajrami, Qëndrim Bajrami.
Por, pas shpalljes së këtyre rezultateve, kandidatja që nuk u pranua në këtë konkurs, bëri ankesë tek Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave.
Në ankesën e siguruar nga Insajderi, thuhet se E.B kishte parë administratoren afër një kandidati duke ia treguar përgjigjet.
Katër ditë më vonë, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave aprovoi pjesërisht ankesën e saj anuloi vendimin për pranim të Komisionit përzgjedhës dhe anuloi në tërësi konkursin.
Në vendimin e KSHA thuhet se pretendimet e ankueses E.B janë të bazuara dhe të provuara.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar kryetarin Qemajl Aliu, UD drejtoreshën e QKMF’së, Pranvera Bajrami dhe kryetarin e Komisionit Përzgjedhës, Ilaz Kadriaj, por deri më tani të tre kanë qenë të paqasshëm për gazetën.