Pasardhësi i familjes Jashari, Igballi, ka shënuar një gol të bukur në fitoren e Prishtinës ndaj Trepçës ’89 në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës dhe ka festuar në mënyrë të veçantë.
Prishtina ka fituar me rezultat të thellë 5-1 ndaj Trepçës ’89 në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Kosovës, duke siguruar një vend në gjysmëfinale të kësaj gare.
Goli i pestë dhe i rezultatit përfundimtar u shënua nga talenti drenicas, Igball Jashari, i cili është pasardhës i familjes heroike duke qenë djali i Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Jashari i cili u inkuadrua në pjesën e dytë dhe shënoi një gol të bukur, e pasoi atë me një festë të veçantë.
Pasardhësi i familjes Jashari mori një fanellë nga banka e cila kishte ngjyrat e ushtrisë dhe në të ishte e vendosur logo e Epopesë së UÇK-së me fytyrat e Shaban, Hamës dhe Adem Jasharit.
Padyshim se ky ishte një moment krenarie për talentin drenicas që shënoi pikërisht në kohën kur përkojnë datat e Epopesë së UÇK-së. /Telegrafi/