
Nga viti 2021 udhëheq me Prishtinën, por Pëparim Rama, kryetari aktual i kryeqytetit, ka dështuar të vendosë në çdo cep të qytetit një nga gjërat më bazike për një vend të civilizuar – pritoret për qytetarët që presin autobusët.
Këtë dështim ia përplasi në fytyrë sonte në debat kandidati i PDK-së për Prishtinën, Uran Ismaili. Ai përmendi lagje për lagje ku mungojnë pritoret.
“S’ka pritore në Matiqan, në Rrugën B, në Kodrën e Trimave, në Kolovicë, në Lakrishte – nuk ka pritore në shumë pjesë të ndryshme të Prishtinës. Nuk mjaftojnë këto që janë, sepse mandati ka përfunduar, janë zgjedhjet e reja,” tha ai në RTV Dukagjini.
Ismaili madje theksoi se qeverisja aktuale, por edhe ato të mëparshmet, nuk janë marrë fare me lagjen “Kodra e Trimave”.
Ai përshkroi një përvojë të tij personale, ku kishte parë gra duke pritur në shi autobusin.
“Kam shkuar te ‘Asim Vokshi’, në rrugën kryesore. Gratë ishin duke pritur në shi. Presin në shi, pritshin gratë në shi në Kodrën e Trimave. 25 vjet pas luftës kanë kaluar të gjitha qeveritë, dhe asnjë pritore nuk ua kanë bërë,” tha Ismaili.
Pas këtij komenti, Pëparim Rama reagoi me arrogancë dhe me gjuhë jo të hijshme, duke u shprehur: “Ne kemi bërë sistemin që askush nuk ka nevojë me prit në shi, sepse e dinë saktësisht kur vjen autobusi. S’di ku i paske gjet ato gra,” tha ai.
Pas kësaj, Ismaili u shpreh se përkundër ironisë së Ramës, qytetarët e dinë se për çka po flet.
“Ato janë gra të asaj lagjeje. Çka thua – s’kanë nevojë me prit? Vetëm dijeni një gjë: çfarë po flas unë, qytetarët e dinë – sepse është përjetimi i tyre. Ata e dinë si është të presësh në borë e në shi,” u shpreh ai./Insajderi