
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka reaguar me tone të ashpra, duke kritikuar opozitën për sjelljen e saj në procesin e zgjatjes së bllokadës institucionale.
“Kjo është nuk di çka të them, të vijnë edhe nuk votojnë, nuk di çka t’u them atyre. Populli nuk e ka votuar asnjë nga ne që të vijë këtu edhe të bëjë hajgare”, tha Bahtiri.
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur as në seancën e 43-të ta zgjedhë kryetarin e tij.
Dështimi erdhi pasi nuk u miratua Komisioni për organizimin e votimit të fshehtë.
Pro këtij komisioni votuan vetëm 55 deputetë, ndërsa nuk pati vota kundër apo abstenime. Në sallë ishin të pranishëm 99 deputetë.
Seancën e ka kryesuar deputeti më i vjetër, Avni Dehari, i cili njoftoi se takimi i radhës do të mbahet më 9 korrik, në orën 11:00.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga regjia t’ua ndërprejë fjalën tre deputetëve: Ariana Musliu të PDK-së, Besian Mustafës të LDK-së dhe Time Kadrijajt të AKK-së./Insajderi