
Shefqet Zogaj, ish-oficer i Policisë së Kosovës katër vite më parë u lirua nga akuzat për vepra penale që lidhen me posedim droge. Zogaj kishte nisur një betejë tjetër ligjore. Kërkonte kthimin në punë. Kjo çështje ka marrë epilog me 2 prill të këtij viti.
Në favor të tij ka vendosur Gjykata Themelore në Pejë. Në vendimin që e ka siguruar Insajderin, thuhet se aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e paditësit.
Si rrejdhojë detyrohet Ministria e Punëve të Brendshme përkatësisht stacioni i policisë në Pejë ta rikthejë në punë Zogaj si dhe t’ia paguajë dëmshpërblimin prej mbi 31 mijë euro.
“ANULOHET Vendimi i të paditurës MBP në Prishtine- Policia e Kosovës, Stacioni Policor Pejë me nr. 1140/KPD/13i datës 18.12.2013 dhe vendimi i shkalles se dytë me numër 11-KA-D/2014 i datës 14.01.2014 për ndërprerjen e marrëdhënies se punës të paditësit Shefget Zogaj nga fshati Orroberdë Komuna e Istogut si të KUNDERLIGJSHËM, ashtu që DETYROHET e paditura MBP në Prishtinë Policia e Kosovës, Stacioni Policor Pejë që paditësin ta kthej në vendin e tije të punës dhe në emër të kompensimit për ndërprerjen e kundërligjshme të marrëdhënies së punës nga data janar 2011 e deri me janar 2019, të i paguajë pagat bruto për periudhën e larguar nga marrëdhënia e punës ne shumë prej 31.491,43 euro, me kamat ligiore prej 8%, nga data 27.11.2023 (dita e përpilimit te ekspertizës), e deri në pagesën definitive e të gjitha këto në afat pre/dite nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi e nen kërcenim të përmbarimit te dhunshëm”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Tutje, gjykata detyron të paditurën Ministrinë e Punëve të Brendshme në Prishtinë që t’i paguajë paditësit Shefqet Zogajt shpenzimet e procedurës kontestimore në lartësi prej 1.498.00 euro, e të gjitha këto në afat prej 7 dite, nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi e nën kërcenim te përmbarimit të dhunshëm.
Insajderi ka kontaktuar avokaten e policit Zogaj, Aurora Mulhaxha, por ajo nuk ka dashur që ta komentojë vendimin.
Sipas aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, më 15 qershor 2012, të akuzuarit, Dardan Blakaj, Shaban Ramaj, Ardisan Zogaj dhe Shefqet Zogaj, akuzoheshin se gjatë vitit 2011, në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale, “blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”, “kontrabande me migrantë”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “mbajtja ne pronësi, kontroll posedim, ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.
/Insajderi