
Përzgjedhësi i kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka ftuar në përbërje për ndeshjet e radhës Adrian Bajramin e Lucernit.
Veç tij, në kombëtare ai e ka ftuar edhe Luca Jaquezin e Stuttgartit për ndeshjet e radhës kualifikuese për Botërorin 2026 kundër Suedisë më 10 tetor dhe Sllovenisë më 13 tetor.
Sipas mediave zvicerane, vendimi për të ftuar Bajramin ka ardhur pasi Zvicra së fundmi “humbi” dy talente, Leon Avdullahun dhe Albian Hajdarin.
Të dy këta zgjodhën të përfaqësojnë Kosovën.
Sipas medias zvicerane “lematin.ch”, 23-vjeçari Bajrami është paksa befasi. Ai është trajnuar te Young Boys dhe ka kaluar përmes ekipeve të të rinjve të Benficas (gjashtë paraqitje edhe me ekipin e parë), ndërsa është kthyer në Zvicër këtë verë. “Është një profil mjaft interesant, një mbrojtës i krahut të majtë, i cili mund të luajë edhe në disa pozita tjera”, tha Yakin. “Muajve të fundit ai ka treguar se është lojtar i mirë”.
Befasues konsiderohet fakti se Bajrami veçse ka luajtur për një ekip kombëtar, e ai është Shqipëria. Megjithatë, ai ka pasur tri paraqitje në miqësore me Shqipërinë në vitin 2022. Por asnjëherë një ndeshje zyrtare. Prandaj, edhe nuk ka nevojë për procedura të ndryshimit të kombëtares. Ai mori konfirmimin në ASF të mërkurën nga FIFA.
Kurse për sa i përket mbrojtësit Luca Jaquezit (22-vjeç), ai ka qenë në radar për disa muaj. Por kurrë më parë nuk është përzgjedhur.
Gjithashtu, listës i shtohen edhe tre të kthyer: Andi Zeqiri, Yvon Mvogo dhe Djibril Sow. Ndërsa Michel Aebischer dhe Denis Zakaria, janë jashtë si pasojë e lëndimeve.