Një ditë më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka quajti raciste deklaratat e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, lidhur me çështjen e rihapjes së Urës së Ibrit, i cili vazhdimisht thotë se kjo temë duhet të trajtohet në kuadër të dialogut. Kësaj deklarate sot iu është kundërpërgjigjur vet Stano, shkruan Insajderi.
Në mënyrë indirekte, ai i ka rikujtuar Osmanit se është në interesin e Kosovës që të dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe do të mbetet vetëm dhe të lihet pas.
“Ne vërtet nuk kemi asgjë të re për të thënë për temën e rihapjes së urës dhe as për të gjitha komentet e rastësishme që ju po iu referoheni. Mund të kujtoj vetëm për të gjithë ata që kanë problem të dëgjojnë dhe të kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO, MB…) e kanë thënë shumë qartë dhe pa mëdyshje, se është në interesin e Kosovës të dëgjojë të dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe njeriu rrezikon të mbetet vetëm dhe të lihet pas”, deklaroi zëdhënës i BE-së.
Sipas tij diskutimi i çështjes së urës në kuadër të dialogut, është diskutim rreth zbatimit të marrëveshjes së arritur, e jo marrëveshje e re.
“Mund të përsëris edhe atë që e kemi këshilluar Prishtinën disa herë: Qeverisja e mirë do të thotë të kontaktosh dhe të angazhohesh me komunitetet, të cilat preken nga vendimet specifike. Të trajtosh çështjen e urës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të thotë të diskutosh modalitetet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura për urën, jo marrëveshjet e reja. Njeriu me të vërtetë duhet të dëgjojë dhe të përpiqet të kuptojë këshillat unanime të të gjithë miqve dhe aleatëve”, thuhet në përgjigjen e Stanos për Express.
Çka saktë tha Osmani?
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano po jep deklarata raciste karshi Kosovës edhe në çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Osmani ka theksuar se hapja e urës për qarkullim nuk duhet të jetë pjesë e bisedimeve në takimet e procesit të dialogut.
“Sa i përket Bashkimit Evropian deklaratat e zëdhënësit të këtij institucioni janë mbi të gjitha raciste kështu që as nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaurar në raport të atyre deklaratave të tyre raciste nuk ka as një arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së Urës së Ibrit në Bruksel”, deklaroi Osmani në konferencë për media.
“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikurse ky zëdhënësi më duket është nga Sllovakia nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Pra, nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Kosovës, dialog për këtë temë nuk do të duhej të pranonte askush, do të duhej të ishte kundër kushtetuese dhe kundër sovranitetit”, ka pohuar Osmani.
/Insajderi