×
  • Lajme
  • Lajme

    Pasi ia kishte vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm, Supremja ia ul në 35 vjet dënimin të akuzuarit për vrasjen e vëllait

    Insajderi
    03 November 2024 - 13:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimin me të cilin i ishte vërtetuar dënimi me burgim të përjetshëm Gani Kriezit, për vrasjen e vëllait dhe djegien e kufomës së tij. Shkalla e tretë, tani ia uli dënimin në 35 vjet burgim të akuzuarit Kriezi.

    Kriezi akuzohej se në shkurt të vitit 2020, në fshatin Bërnjak të Rahovecit, me dashje e ka privuar nga jeta vëllanë e tij, tani të ndjerin B.K, e më pas e ka djegur trupin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, Gjykata Themelore në Gjakovë më 8 shkurt 2023 e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Kriezin. Këtë vendim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit. Kurse, edhe Gjykata Supreme më 19 tetor 2023 kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore dhe atij të Apelit, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm.

    Por, i akuzuari ka shfrytëzuar të drejtën e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj vendimit të Supremes, pasi nuk ka qenë i kënaqur me vendimin e shpallur ndaj tij.

    Në vendimin e Supremes, thuhet se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, është e pjesërisht e bazuar, ku theksohet se burgimi i përjetshëm shqiptohet kur vepra kryhet në rrethana shumë të rënda.

    Në rastin konkret, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, rrethanat duhet të jenë edhe më të rënda, më rënduese- “veçanërisht të rënda” për të veçuar rastin nga të tjerët me të njëjtin kualifikim ligjor dhe për të arsyetuar shqiptimin e dënimit më të rëndë.

    “Ardhja e të dënuarit në shtëpinë e viktimës dhe fjalosja e tij paraprake me të si dhe fakti se e privon nga jeta anëtarin e familjes (vëllain e tij) dhe pastaj mundohet t’i fsheh gjurmët duke e djegur kufomën, veprimi i papritur i shtënies nga revolja në tani të ndjerin në momentin kur ai këtë nuk e ka pritur, kur ka qenë duke fol në telefon dhe i shtirë në divan, tregon se vepra është kryer ndaj anëtarit të familjes, që dallon nga vepra penale e vrasjes nga neni 172 të KPK-së, gjegjësisht është një vrasje e cilësuar”, thuhet në vendimin e Supremes.

    Gjithnjë sipas Supremes, në këtë rast pasoja e shkaktuar është vdekja e njeriut, andaj, është pasojë e rëndë. Mirëpo, nuk mund të aprovohet konstatimi i gjykatës së shkallës së parë se shkalla e dëmit të shkaktuar ka pasoja të rënda për familjen dhe e arsyeton dënimin e shqiptuar.

    “Shkaktimi i vdekjes së anëtarit të familjes, në këtë rast me veprën penale vrasje e rëndë nga neni 173, par.1, pika 1.3. të KPRK nuk mund të cilësohet si “pasojë shumë e rëndë” në kuptim të nenit 41 të KPRK sepse fjala “shumë” nënkupton një të keqe edhe më të madhe. Edhe pse ligji nuk e përkufizon kuptimin e fjalës “shumë të rëndë” praktika gjyqësore ka treguar se me këtë duhet të kuptohet se, për shembull, ekziston kombinimi i elementeve cilësuese të veprës penale të vrasjes së rëndë, siç mund të jetë vrasja e nënës në mënyrë mizore dhe rrezikimi i jetës ose edhe privimi nga jeta edhe të foshnjës së saj, torturimi i gjatë dhe tepër i rëndë i viktimës dhe shkaktimi i vdekjes në dhimbje të padurueshme, që tejkalon dhimbjet që zakonisht e përcjellin vdekjen, varrimi ose djegia e personit të gjallë dhe situata të ngjashme”, shpjegohet tutje në vendim.

    Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Supreme, thuhet se Themelorja në matjen e dënimit nuk kishte gjetur rrethana lehtësuese, por rrethana rënduese faktin se veprën penale i akuzuari e kishte kryer me formën më të rëndë të fajit, me dashje direkte dhe atë me shkallë të lartë të dashjes dhe me paramendim dhe vendosmëri.

    Themelorja kishte vlerësuar motivin e ultë se i akuzuari për shkak të problemeve pronësore shtie në viktimën, në shtëpi të tij dhe pastaj në mbrëmje për të fshehur gjurmët e djeg trupin e të ndjerit. Po ashtu, thuhet se shkalla e parë mori për bazë edhe moshën e viktimës (person relativisht i vjetër), shkallën e lartë të dëmit të shkaktuar familjes dhe se i njëjti ishte i dënuari edhe për një vrasje me dënim me burgim të përjetshëm nga ana e Gjykatës Penale e Kasacionit në L.,Z.

    “Edhe pse gjykata e shkallës së parë rrethanat e cekura më lartë, shprehimisht nuk i ka cilësuar si rrethana veçanërisht rënduese por vetëm i ka vlerësuar, ato nuk kanë mundur të kenë ndikim aq të theksuar në shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm, sepse fakti se viktima dhe i dënuari kanë pasur probleme pronësore apo “motivi” sikur i referohet gjykata e shkallës së parë nuk mund të jetë rrethanë rënduese, por eventualisht, element cilësues i veprës penale”, ka vlerësuar Supremja.

    Nga këto arsye, Gjykata Supreme ka gjetur se në rastin konkret nuk janë plotësuar kushtet për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm, andaj Krieziut i shqiptoi dënim më 35 vjet burgim.

    “Me këtë rast nuk përcaktojë dënime të veçanta për këtë vepër penale dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar nga neni 366 par. 1 të KPRK-së, të cilat janë kryer në bashkim, për arsye se vendosi që lartësia e dënimit me burgim vetëm për veprën e parë penale duhet të jetë burgimi në kohëzgjatje prej 35 vitesh”, thuhen në arsyetimin e vendimit.

    Aty theksohet se ky dënim është maksimumi dhe dënimi unik nuk mund të kalojë periudhën 35-vjeçare.

    “Gjykata Supreme gjeti se në anën e të dënuarit ekzistojnë rrethanat rënduese të cilat janë vlerësuar nga gjykatat e instancave më të ulët, përveç atyre të cilat me këtë aktgjykim u eliminuan si të tilla dhe nuk gjeti rrethana të atilla që kishin arsyetuar shqiptimin e dënimit më të butë, gjegjësisht nën maksimumin ligjor të këtij lloji të dënimit, por se i njëjti është i domosdoshëm për arritjen e qëllimit”, thuhet në aktgjykim.

    Ndryshe nga ky vendim kishte vendosur Supremja në shqyrtimin e ankesës, kur e kishte vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm. Në aktgjykimin e marrë më 19 tetor 2023, precizohet se vetë i akuzuarit, në mbrojtjen e tij, në deklaratën e dhënë në Polici, nuk e ka mohuar kryerjen e veprës penale në drejtim të vëllait të tij, përkundrazi e ka përshkruar në detaje se si e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.K., pastaj se si e ka djegur kufomën dhe si e ka hedhur të njëjtën me qëllim që të fshihen gjurmët e vrasjes.

    Sipas Supremes, përveç kësaj, dëshmitarët e familjes së të dënuarit dhe dëshmitarët e familjes së tani të ndjerit, kanë vërtetuar se pikërisht i akuzuari Gani Kriezi është personi që e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B., prandaj konkludimet e gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari me dashje direkte e ka privuar nga jeta të ndjerin ishin të drejta dhe të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe shkresat tjera të lëndës.

    “Kjo gjykatë, duke e marr parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, vendin e kryerjes së veprës penale, sjelljen e të akuzuarit para kryerjes së veprës penale si dhe pas kryerjes së veprës penale, faktin se vepra penale është kryer në “rrethana veçanërisht rënduese”, konsideron se dënimi të cilin i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, i vërtetuar edhe me aktgjykimin e shkallës së dytë, është i drejtë, i ligjshëm, dhe se i njëjti është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të dënuarit, dhe është në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale dhe se këtë dënim do të arrihet qëllimi i ndëshkimit i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK”, thuhej në këtë aktgjykim.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i akuzuari Gani Kriezi, me dashje ka privuar nga jeta vëllanë e tij, B.K.

    Aktakuza thotë se i akuzuari, paraprakisht kishte njohuri se vëllai kishte një shumë të konsiderueshme të parave, të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës dhe në ditën kritike, Gani Kriezi kishte shkuar në shtëpinë e tij gjoja për t’ia dërguar një shumë të hollave prej 7 mijë euro, të cilat i kishte marrë nga djali i të ndjerit B.K, A.J-C., në emër të një borxhi.

    Aktakuza thotë se gjatë një bisede të përbashkët, i akuzuari ishte fyer nga tani i ndjeri, me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se i revoltuar nga kjo, i akuzuari kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e tani të ndjerit B.K, hyn brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas i akuzuari e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendosë në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: drunj, plastikë, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh, i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat së bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit thuhet se i hedh jashtë shtëpisë, në një vend deri tani të paidentifikuar, më qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit.

    Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të Kodit Penal, e cila dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

    Tutje sipas Prokurorisë, i pandehuri më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Republikën e Kosovës.

    Me këto veprime, i njëjti ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark