
Këshilli i Evropësi tha Turqisë të premten se është duke përgatitur procedura për shkelje për shkak të dështimit të saj për ta liruar nga burgu filantropin Osman Kavala. Kjo lëvizje mund të çojë në pezullimin e anëtarësisë së Turqisë në këtë institucion.
Javën e kaluar një gjykatë turke vendosi ta mbajë Kavalën në burg, duke zgjatur paraburgimin e tij katërvjeçar që ka shtuar tensionet në marrëdhëniet e trazuara të Ankarasë me aleatët e saj perëndimorë.
“Duke dështuar për të siguruar lirimin e menjëhershëm të kërkuesit, Komiteti (i Ministrave) konsideron se Turqia po refuzon të respektojë vendimin përfundimtar të Gjykatës (GJEDNJ) në këtë rast”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Evropës.
Këshilli i Evropës i kërkoi Ankarasë që ta paraqesë pikëvështrimin e saj për këtë rast deri më 19 janar të vitit 2022 dhe çështja më pas do t’i dërgohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në takimin pasues më 2 shkurt, thuhet më tej në deklaratë.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kishte vlerësuar se ndalimi i Kavalasë është politik dhe kishte bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij për shkak të mungesës së dyshimit të arsyeshëm se ka kryer shkelje. Turqia nuk e ka respektuar vendimin e Gjykatës Evropiane.
Ndaj vendimit të Këshillit të Evropës reagoi Turqia. “E ftojmë Këshillin e Evropës që të përmbahet nga vazhdimi i këtij vendimi, që do ta ketë cilësinë e ndërhyrjes në sistemin e pavarur gjyqësor”, tha Ministria e Jashtme e Turqisë.
Në tetor, presidenti turk, Rexhep Erdogan, kërcënoi se do t’i dëbonte ambasadorët e dhjetë shteteve, përfshirë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë e Francës, pasi këta të fundit bënë thirrje për lirimin e Kavalasë.