
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të rënda që ndodhën të dielën në Kosovë, ku brenda një dite u shënuan katër vrasje, tri në Gjilan dhe një në Prizren.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj e cilësoi 10 gushtin si një ditë tragjike për vendin.
“Dita e 10 gushtit ishte një ditë tragjike për Kosovën. Vetëm brenda një dite, në vendin tonë ndodhën katër vrasje mizore”, shkruan Haradinaj, duke theksuar se tre persona u ekzekutuan në mënyrë makabre në Gjilan nga individë që ndër vite ishin të njohur për vepra të ndryshme penale, ndërsa një i ri u vra me thikë në Prizren.
Deputeti apelon për reflektim të menjëhershëm institucional, duke e cilësuar datën si “alarm për gjithë shoqërinë dhe për të gjitha institucionet tona, pa dallim”, që sipas tij, duhet të marrin masa të pamëshirshme ligjore, jo vetëm për ndëshkimin, por edhe për parandalimin e krimeve.
“Veproni sot, për të mos vajtuar nesër!”, shkruan Haradinaj në reagimin e tij.
Ai kërkoi gjithashtu që të ndërmerren veprime serioze për të çrrënjosur ndikimin e individëve me të kaluar kriminale edhe brenda institucioneve të rendit.
“Pastrojeni uniformën e policisë nga fajdexhinjtë. Nuk ka komunë pa dukuri të tilla, dhe shumica prej tyre dihen edhe nga publiku”, thekson ai.