Pasuria “modeste” e Putinit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Pasuria “modeste” e Putinit

    Insajderi
    18 April 2016 - 08:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kundërshtarët e Kremlinit dhe zyrtarët perëndimorë që një kohë të gjatë e akuzojnë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se ai e përdorë pozitën e tij të fuqishme për të rritur pasurinë dhe shtuar patundshmërinë luksoze, përfshirë një pronë të madhe përgjatë Detit të Zi, të njohur edhe si “Pallati i Putinit”.

    Zyrtarish, sigurisht, xhepat e liderit rus janë më të cekët. Bazuar në dëshmitë e publikuara për të ardhurat e tij, të lëshuara nga Kremlini më 15 prill, tregohet se Putini ka fituar rreth 134 mijë dollarë në vitin 2015, pak më shumë se vitin paraprak, kur u raportua se ai kishte fituar 115 mijë dollarë.

    Askund nuk u përmend rezidenca që thuhet se u ndërtua nga ai në qytetin jugor të Gelendzhikut, për të cilën Kremlini ka mohuar çfarëdo lidhje. Ndërkohë, Putini ka deklaruar se është pronar i një banese prej 77 metrash katrorë, pastaj një copë toke prej 1,500 metrash katrorë, si dhe një garazhe prej 18 metrash katrorë. Deklarimi i pasurisë së Putinit gjithashtu tregon se ai ka në përdorim edhe një banesë tjetër prej 153 metrash katrorë.

    Putini nuk deklaroi asnjë veturë luksoze të huaj, që zakonisht hyn në preferencat e elitës poltike dhe financiare të Rusisë.

    Zbulimi i të ardhurave të tij tregon se ai është pronar i dy veturave të rralla sovjetike; një Lada Niva ruse, dhe i një barke. Por, askund nuk u përmend se ai është pronar i një anije, pavarësisht se një raport i vitit 2012 i politikanit opozitar, Boris Nemtsov [i cili u vra në afërsi të Kremlinit vitin e kaluar], thoshte se Putini ka qasje në një flotë prej katër jahtesh.

    Raporti i ri tregon të ardhura të ngjashme të Putinit sikurse vitet e kaluara. Ky raport i fundit i pasurisë së tij vjen në kohën kur ai po përflitet në “Letrat e Panamasë”, të cilat tregojnë se miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kanë kryer marrëveshje financiare marramendëse jashtë vendit.

    Hetimet, bazuar në këto “Letra”, tregojnë se miku i tij i ngushtë, Sergei Roldugin, është pronar i një firme sekrete jashtë vendit, përmes së cilës kanë lëvizur rreth 2 milardë dollarë.

    Putini nuk është përmendur në këto dokumente, por kritikët e Kremlinit pohojnë se ai mund të jetë përfitues i këtyre shumave jashtë vendit, akuza që në vazhdimësi mohohen nga Putini dhe Kremlini.

    Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë se Putini “ka kapital të investuar” në Gunvor, një kompani e zotëruar nga bashkëpunëtori i tij, një miliarder rus, Gennady Timchenko, dhe se presidenti rus mund të ketë ‘qasje në fondet e Gunvorit.” Sigurisht, Gunvor dhe Kremlin i mohojnë këto akuza.

    Sidoqoftë, sado modeste të duket pasuria zyrtare e Putinit, ai duket se ka të afërm shumë të pasur. Versioni rus i revistës ‘Forbes’ raportoi para disa ditësh se Kirill Shamalov, që thuhet se është dhëndëri i Putinit, është miliarderi më i ri i Rusisë, në moshën 34 vjeçare./rel


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark