Pati kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, për të njëjtën lëndë Inspektorati i Punës e gjobit me 2,500 euro Telekomin e Burbuqe Hanës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pati kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, për të njëjtën lëndë Inspektorati i Punës e gjobit me 2,500 euro Telekomin e Burbuqe Hanës

    Insajderi
    09 December 2024 - 14:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - besnik.gashi

    Ndërmarrja publike “fituese” Telekomi i Kosovës po vazhdon të ketë numër rekord të denimeve nga Inspektorati i Punës. Ky institucion, ku në Telekom cilësohet si “gjobvënës i jashtëligjshëm”, e ka dënuar së fundmi me 2,500 euro ndërmarrjen publike për shkeljet procedurale që janë bërë në risistematizimin e vendeve të punës, të cilat po udhëhiqen nga Burbuqe Hana. Lidhur me këtë lëndë, ankuesi ka dërguar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Hanës, shefit të Financave, Feim Kelmendit dhe menaxheres së Burimeve Njerëzore, Harije Mustafa-Hykollit.

    Gazeta Insajderi ka siguruar një vendim që dëshmon gjobën prej 2,500 eurove pas shkeljeve të ligjit të kryer nga njerëzit e Hanës në Telekom. Në tri pika thuhet se kanë cënuar kontratën e punës, caktimin e vendit të punës dhe shkelje të të drejtave për të punësuarit.

    Cenimin e dispozitës së nenit 10 [Kontrata e Punës], paragrafi 5, “Kontrata për një periudhë të caktuar që ripërtërihet në mënyrë të qartë ose të vetëkuptueshme për një periudhë të punësimit më të gjatë se dhjetë (10) vite, konsiderohet si kontratë për një periudhë të pacaktuar kohor”, të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, dhe ndëshkohet me gjobë prej 1000.00 euro (një mijë euro)”, thuhet në vendimin e Inspektoratit.

    Cenimin e dispozitës së nenit 17 [Caktimi i të punësuarit në vendin e punës], paragrafi 2, “Në rast të nevojës për ristrukturim apo organizim të ri të punës, i punësuari në pajtim me Kontratën e Punës mund të sistemohet në vend tjetër të punës që i përgjigjet përgatitjes profesionale, aftësisë së tij dhe nivelit të njëjtë të pagës, në pajtim me Kontratën e Punës”, të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, dhe ndëshkohet me gjobë prej 1000.00 euro (një mijë euro)”.

    Cenimin e dispozitës së nenit 78 [Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit], paragrafi 2 të Ligjit të Punës 03/L-212, ku “Punëdhënësi është i obliguar për të vendosur sipas kërkesës së të punësuarit, në afatin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të kërkesës” dhe ndëshkohet me gjobë prej 500.00 euro (pesë qind euro)”, thuhet ndër të tjera.

    Siç përshkruhet në vendimin e Inspektoratit të Punës, pas pushimit mjekësor ankuesi ishte ftuar në zyrën e Burimeve Njerëzore që ta nënshkruante një kontratë. Kontrata parashihte një pozitë të re për ankuesin, e cila e degradonte për disa grada.

    Në vendimin e Inspektoratit që ka parë Insajderi, Telekomi thotë se nuk mund t’i ofrojë kontratë të re për pozitën që ka, meqë ajo pozitë është shuar si pasojë e risistematizimit dhe “është fiktive”.

    Ankuesi si pasojë e mos-nënshkrimit të kontratës kishte ngelur pa rrogë.

    Për krejt këto, Inspektorati i Punës fillimisht kishte dërguar raport zyrtar në mënyrë që të ndryshojnë rrethanat juridike dhe faktike. Gjithsesi, Telekomi kishte refuzuar të reflektojë, për çka kishte pasuar edhe dënimi prej 2,500 eurove.

    Insajderi para gati një muaji raportoi për një kallëzim penal të deponuar në Prokurorinë Speciale ndaj Hanës, Kelmendit dhe Mustafa-Hykollit.

    Gazeta Insajderi kishte kontaktuar me Telekomin e Kosovës, të cilët kishin thënë se nuk janë në dijeni për këtë kallëzim penal. Zëdhënësi i kësaj ndërmarrjeje, Fadil Lepaja, ka thënë se asnjëri nga të përmendurit s’është ftuar nga Prokuroria për intervistim.

    “Jo, nuk kemi asnjë informatë dhe nuk ka asnjë ftesë zyrtare lidhur me këtë “kallzim penal”. Lidhur me këtë dijmë aq sa kemi parë në media. Jo, askush nga zyrtarët që i përmendni nuk është ftuar nga prokuroria”, thuhet në përgjigjen e Lepajës për Insajderin.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark