Ministria e Arsimit është bërë gati ta furnizojë me ushqime, pije, sallata, e ëmbëlsira byfen e MASHT’it. Sipas çmimit të parashikuar ky tender ka kushtuar 25 mijë euro. Ministria e Arbërie Nagavcit me këtë tender e ka shpërblyer kompaninë ‘Shqiponjabfb’ që Kuvendi i Kosovës para tri viteve ia kishte prishur folenë shkaku i produkteve serbe që shërbente për deputetët në bufe. Insajderi ju sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dje, me datën 20 nëntor, ka nënshkruar kontratë me vlerë të parashikuar 25 mijë euro për “shërbime të hotelerisë – bufesë”.
Kontrata përfshinë kryesisht ushqim, pije, sallata e ëmbëlsira.
Operatori Ekonomik që është shpërblyer me këtë tender është “ShqiponjaBFB SH.P.K”, ku vlera e përgjithshme e kontratës për njësi është 22.16 euro.
Disa nga produktet që do të blihen janë: Kafe expresso, Kafe makiato e madhe, Kafe makiato e vogël, Latto Caffe, Nes – kafe me vanillë, Nes – kafe klasik copë, Kafe Amerikane copë, Kafe Cappucino, Kafe Turke, Çaj – Filtër (të gjitha llojet), Qumësht me çokollatë (bambi), Lëngje frutash paketim qelqi 200 ml cilësi e lartë Fruktal ose ekujvalente. (pjeshkë, mollë, portokall, dredhëz, dardhë, ananas, vishnje, borovnic, Juice).
Kifle çokollatë, gjem, gjalpë, arra, me peshë, Kifle me djath me peshë 100gr.
Do të blihen edhe sallata, omleta e pica.
“Sallatë greke me peshë 250gr, Sallatë shope me peshë 250gr, Sallatë me mish pule me peshë 250gr, Sallatë me mish peshku tuna me peshë 250gr, Leqenik me spinaq me peshë 250gr, Mantija me djath; mantija me mish, Llokuma garniturë (djath, ajvar, gjem dhe lëng). me peshë 250gr, Omlet me djath (dy vezë, domate) me peshë 250gr, Omlet me pershutë (dy vezë, domate, djath) me peshë 250gr, Picë me proshutë, kpurdha, kashkavall, sos, speca, kungullesha, ulli, picë e vogel me diameter 20 cm, Picë tuna, e vogel me diameter 20 cm, Picë margarita e vogel me diameter 20 cm, Sendviqët me proshutë (proshutë, tranguj, domate, kaqkavall, gjiz, sallat e gjelbër), me peshë 250gr, Mish pule me garnitur, (pomfrit, perime e ferguar, sallatë gjelber, tranguj, domate, fafarona), me peshë 250gr. copë 1”.
“Ëmbëlsirë ditore me peshë 100gr, Akullore me kupza, (çokolladë, limon, lajthi, arrë, karramel, vanill, banane), çmimi për një kupë. Sallat me Frut (molla, dardh, pjeshkë, kajsi, kumbullë, banane, kivi, portokaj, rrush i bardh, rrush i zi, qershi, dredhëz, mjedra, boronicë, ananas, shalqin)”.
Por, kush është kompania “Shqiponja BFB SH.P.K”, që është shpërblyer me këtë tender?
Kompanisë “Shqiponja” iu prish foleja në Kuvend, shkaku i produkteve serbe.
Në dimrin e vitit 2021, përkatësisht në muajin nëntor, Kuvendi i Kosovës ia pati ndërprerë kontratën ‘ShqiponësBFB’ për shërbime në bufenë e Parlamentit, nën arsyetimin se po shiste produkte të Serbisë.
Vendimi për ndërprerje të kontratës ishte nxjerrë tri ditë pas paralajmërimit nga Kabineti i Kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca, për heqjen e produkteve të pretenduara serbe nga bufeja e Kuvendit.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), “ShqiponjaBFB” Sh.P.K. është një kompani në bashkëpronësi të Beqir dhe Fatmir Nikës.
/Insajderi.org/