PDK: 900 ditë të Qeverisë Kurti kanë prodhuar vetëm skandale - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    PDK: 900 ditë të Qeverisë Kurti kanë prodhuar vetëm skandale

    Insajderi
    04 August 2023 - 14:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Partia Demokratike e Kosovës ka denoncuar Qeverinë Kurti për shkelje të ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës.

    Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i PDK-së, Bernard Nikaj dhe avokati Faton Fetahu, kanë denoncuar sot shkeljen e shtatë kushtetuese të Qeverisë Kurti, me ç’rast është shpallur antikushtetues Ligji për Zyrtarët Publikë, pas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji.

    Nikaj në një konferencë për media, tha se në këto 900 ditë të qeverisjes, Qeveria Kurti është karakterizuar vetëm me skandale, afera korruptive, kapje të institucioneve, dhe stagnim e degradim të politikës së jashtme.

    “Gjatë këtyre 900 ditëve, fatkeqësisht, Qeveria është marrë shumë pak me qeverisje dhe është marrë tejet shumë me sulme kundër rendit kushtetues të vendit tonë. Siç e dini, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dje e ka shpallur antikushtetues Ligjin për Zyrtarët Publikë, pas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji. Ndonëse shkeljet e pushtetarëve tashmë janë me qindra e po shtohen për çdo ditë, për të shtatën herë më radhë, ky vendim konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të Qeverisë së Albin Kurtit, e karakterizuar për skandale, afera korruptive, kapje të institucioneve, dhe stagnim e degradim të politikës së jashtme”, theksoi Nikaj.

    Sipas tij, në vend se të ketë reflektim, llogaridhënie dhe marrje të përgjegjësisë për këto shkelje të vazhdueshme, po shihet vetëm një kryeneçësi të Qeverisë për të mbrojtur veprimet e saj joligjore.

    “Në këtë moment, kemi një Ambasador në detyrë, i cili është i dyshuar për shpëlarje të parave, kemi një Kryeshef të Korporatës Energjetike të Kosovës i cili është paraburgim por jo të shkarkuar nga detyra, kemi një kryeshef të një ndërmarrje publike rajonale, i cili në vend që të shkarkohet nga detyra po vazhdon ta ushtrojë atë pa asnjë pengesë. Kemi ministra të përfshirë në afera publike të cilët po vazhdojnë të mbajnë postet e tyre. Kemi ministra, zëvendësministra e zyrtarë të shumtë të emëruar nga ky pushtet të cilët janë nën hetime. 900 ditë të këtij pushteti nuk kanë prodhuar zhvillim, nuk kanë sjellë ndryshim, por kanë prodhuar vetëm skandale, afera korruptive, keqqeverisje dhe papërgjegjësi”, tha ai.

    Prandaj, PDK kërkon shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme, për ta kthyer vendin në rrugën e zhvillimit, integrimit dhe zbatimit të mirëfilltë të demokracisë.

    “Është koha e fundit që të gjithë përgjegjësit për këto veprime, të japin dorëheqje ose të shkarkohen për keqmenaxhim në ushtrimin e detyrave të tyre zyrtare. Siç ka thënë edhe Kryeministri vet: “Kush e shkelë ligjin është kriminel, kush e shkelë kushtetutën është super-kriminel”. Prandaj, është koha që sot Kryeministri të kaloj nga fjalët në vepra.

    Mes tjerash edhe avokati Faton Fetahu theksoi se ka ka prova të bollshme se sfidimi i sistemit kushtetues është veprimtaria më e suksesshme e pushtetit të Albin Kurtit, të cilin fatmirësisht, deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, po e parandalojnë.

    “Për shkak të përvojës relativisht të gjatë në procese kushtetuese, kam pasur fatin që të angazhohem në kapacitetin profesional në betejat kushtetuese që janë zhvilluar viteve të fundit, dhe të cilat, padyshim përbëjnë jo vetëm raste studimore për katedrat e drejtësisë kushtetuese, por paraqesin njëkohësisht edhe apetitet abuzive për pushtet të pakufizuar të bartësve të jetës institucionale të kësaj qeverie, si në mandatin e parë, ashtu edhe tani, në mandatin e dytë”, tha Fetahu.

    Sipas Fetahut, PDK nuk do të ndalet së angazhuari për të mos lejuar diktaturë dhe për të mos cenuar rendin demokratik në vendin tonë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark