Dega e Partisë Demokratike të Kosovës ka akuzuar kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirin, se është duke investuar vetëm në fshatin e tij dhe të nënkryetarit të tij.
PDK, duke iu referuar raporteve zyrtare të Ministrisë së Financave dhe atyre të Drejtorisë për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim të Komunës së Mitrovicës, ka thënë se në vitin 2015 investimet kapitale janë koncentruar në dy fshatra, në Gushavc që është fshati i kryetarit Agim Bahtiri dhe në Kqiç, fshati i nënkryetarit të komunës, Safet Kamberi
“Në Gushavc janë investuar 648 mijë e 305 euro, apo 21 për qind e buxhetit total për investime kapitale në gjithë komunën, ndërsa në Kqiç janë investuar 392 mijë e 124 euro, apo 12 për qind e buxhetit”, thuhet në komunikatën për media.
“Shprehur në përqindje vetëm në këto dy fshatra, ku jetojnë më pak se 3 për qi nd e popullatës së Mitrovicës, janë investuar rreth 34 për qind e gjithë buxhetit komunal. Rrjedhimisht del se Agim Bahtiri i ka injoruar 97 për qind të qytetarëve të Mitrovicës”.
Po ashtu, dega e PDK-së në Mitrovicë thotë se në vitet e qeverisjes së Bahtirit janë rritur shpenzimet e luksit./Insajderi.com