
Kadri Veseli, ka publikuar mbrëmë një fjalim të tij të gjatë gati 8 minuta. I është drejtuar anëtarëve të kësaj partie duke u kërkuar mbështetje për tu bërë kryetar i PDK-së.
Ka folur në superlativ për partinë të cilën synon ta drejtoj. Ka thënë se PDK-ja është shndërruar në institucion të patriotizmit.
“Partia Demokratike e Kosovës është shndërruar në një institucion të patriotizmit dhe do të vazhdojë të ngelet e tillë. Anëtarët tanë u edukuan me atdhedashuri dhe me bindjen se interesat e atdheut duhet të vënë mbi të gjitha”, ka thënë Veseli.
Ka shtuar se PDK-ja nuk e mban kot emrin Parti Demokratike pasi që “konsolidimin e demokracisë liberale në Kosovë e ka qëllim kryesor”.
Duke folur për të kaluarën e tij, Veseli i është shmangur përmendjes së SHIK-ut. Ka thënë vetëm se ka udhëhequr një formacion të UÇK-së deri në shuarjen e tij më 2008.