
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka prezantuar të martën në një konferencë për media, të dhëna të sasisë së prodhimit të energjisë elektrike, importit dhe eksportit në katër muajt e fundit në Kosovë.
Bazuar në këto të dhëna, Tahiri ka thënë se shumica e kërkesës për konsum të energjisë gjatë shkurtit, marsit dhe prillit në Kosovë, është mbuluar nga prodhimi, duke ngritur dyshimin për ngritjen e tarifave të energjisë dhe ndarjen e mjeteve për subvencionim të këtyre tarifave.
“Gjatë këtyre tre muajve ne e kemi paguar dyfishin e prodhuar nga KEK-u me çmimin e njëjtë. KEK-u s’e ka shtrenjtuar çmimin e megawatit, neve na janë dyfishuar tarifat, plus janë ndarë 100 milionë euro për subvencionim të tarifave. Si janë shpenzuar rreth 100 milionë euro të ndara nga qeveria e Kosovës për subvencionim të tarifave. Prodhimi në vendin tonë e ka mbuluar kërkesën për konsum”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se qeveria Kurti duhet të shpjegojë se përse është ngritur çmimi i tarifave të energjisë, kur KEK-u nuk e ka shtrenjtuar prodhimin.
“Të panjohurat tona janë pse duhet të dyfishohet çmimi i energjisë elektrike dhe që KEK-u nuk e ka shtrenjtuar dhe pse duhet të subvencionohen tarifat kur nuk ka kërkesë për import”, është shprehur Tahiri.
Ai i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të mos e bllokojë të enjten themelimin e komisionit hetimor për energjinë.