Dy partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), po synojnë që ta vazhdojnë bashkëpunimin edhe pas përfundimit të këtij mandati qeverisës.
Partia e cila udhëhiqet nga Kadri Veseli, tashmë e ka bërë të qartë se me LDK-në dëshiron bashkëpunim afatgjatë, por pa përjashtuar bashkëpunimin edhe me partitë e opozitës.
Organi më i lartë udhëheqës i PDK-së, Këshilli Drejtues, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, kur emëroi Kadri Veselin ushtrues detyre të kryetarit të PDK-së, miratoi edhe një deklaratë me të cilën shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe pas këtij mandati qeverisës.
“PDK është e vendosur për ruajtjen e koalicionit aktual qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe shpreh gatishmërinë për ndërtimin e partneritetit dhe bashkëpunimit afatgjatë me qëllim të ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit”, thuhet në njërën nga pikat e deklaratës.
Për synimin e PDK-së që të vazhdojë bashkëqeverisjen e LDK-në e thotë edhe nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami, sipas të cilit, PDK-LDK është koalicioni më i mirë për ta përfunduar agjendën e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës edhe në mandatin e ardhshëm.
“Tani të dy partnerët e koalicionit të madh kanë konfirmuar gatishmërinë për të mbajtur këtë koalicion deri në vitin 2018 kur janë zgjedhjet e ardhshme dhe mendoj që edhe pas përfundimit të këtij mandati këto dy parti do të tregojnë gatishmëri për të vazhduar partneritetin. Sepse duhet të përmbyllen, siç e kanë përmbyllur shtetndërtimin edhe agjendën e integrimit evropian dhe hyrjes së Kosovës në NATO”, ka thënë Bajrami për “Zërin”, por duke mos përjashtuar bashkëpunimin edhe me partitë tjera opozitare.