Përplasjet për shtatoren e Adem Jasharit në Lipjan, PDK del me sqarim - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Përplasjet për shtatoren e Adem Jasharit në Lipjan, PDK del me sqarim

    Insajderi
    27 September 2025 - 22:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Lipjan ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të publikuara nga kryetari aktual i komunës, duke i quajtur ato “gënjeshtra të rënda dhe manipulim të opinionit publik”.

    Në një deklaratë të gjatë zyrtare, PDK ka sqaruar se nuk ka votuar kundër projektit për ndërtimin e shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, siç pretendohet nga kundërshtarët politikë. Përkundrazi, sipas tyre, shtatorja është futur në rend dite në mënyrë të fshehtë dhe pa konsultim me grupet parlamentare, gjatë një seance të improvizuar dhe të zhvilluar në mënyrë të jashtëligjshme.

    Sipas tyre, pas rënies së koalicionit LDK–AAK, shumica e re ishte krijuar nga PDK me mbështetjen e AAK-së. Në këtë kohë, ata kishin iniciuar shkarkimin e Kryesueses së Kuvendit dhe zhvillimin e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, por kjo u bllokua nga LDK dhe kryesuesja me “mbështetje politike nga Ministria”.

    PDK pretendon se mbledhja ku u miratua buxheti, përfshirë edhe investimet kapitale si shtatorja e Adem Jasharit, zgjati vetëm 10 minuta dhe u realizua në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare, pa praninë e grupit parlamentar të PDK-së.

    PDK Lipjan ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa ligjorë dhe do të padisë për shpifje të gjithë ata që, sipas tyre, po përhapin qëllimisht dezinformata për të dëmtuar imazhin e partisë dhe për të manipuluar opinionin qytetar.

    Ky është reagimi i plotë:

    REAGIM

    Gënjeshtrat dhe mashtrimet e Kryetarit në ikje nuk kanë të ndalur!

    Opinionit publik po i shitet një e pavërtetë kinse kuvendarët e PDK-së nuk kanë votuar pro shtatores së Komandantit Adem Jashari në Lipjan.

    E vërteta është krejt tjetër: Kryetari në ikje, duke manipuluar me disa asambleistë, e kontrabandoi këtë pikë të rendit të ditës duke e futur brenda buxhetit, pa asnjë njoftim dhe pa asnjë konsultim paraprak me grupet parlamentare.

    Si qëndron e vërteta?

    Koalicioni LDK–AAK kishte rënë, dhe shumica e re parlamentare ishte krijuar nga PDK me mbështetjen e AAK-së. Ne si shumicë iniciojmë shkarkimin e Kryesueses së Kuvendit dhe e zhvilluam procesin sipas rregullores dhe LVL-së. Mirëpo, Kryesuesja e atëhershme, me mbështetjen e Ministrisë nga LDK, bllokoi punën e Kuvendit në mënyrë arbitrare dhe të kundërligjshme.

    LDK dhe Kryetari në ikje, përmes pazareve të fshehta me dy asambleistë të AAK-së, organizuan një seancë të improvizuar që zgjati vetëm 10 minuta, rekord për Kuvendin, ku u procedua vetëm me votim dhe u aprovua buxheti bashkë me investimet kapitale, mes tyre edhe projekti për shtatoren e Adem Jasharit, pa asnjë njoftim dhe konsultim paraprak.

    Ne nuk ishim pjesë e asaj seance, sepse kishim thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme ligjore që u sabotua nga Kryesuesja e Kuvendit dhe LDK.

    Prandaj, nuk kishim si të votonim për një pikë të futur fshehtas dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

    Partia Demokratike e Kosovës do të iniciojë padi për shpifje, sepse çdo pretendim se PDK ka votuar kundër shtatores së Komandantit Adem Jashari është një gënjeshtër e pastër, një manipulim i ulët dhe fyerje ndaj sakrificës sonë kombëtare.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark