
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Lipjan ka reaguar ashpër ndaj, siç thotë, “keqpërdorimeve masive të burimeve publike” nga pushteti aktual komunal në prag të zgjedhjeve lokale.
Sipas PDK-së, “Kryetari në ikje dhe ekipi i tij janë kapluar nga paniku përballë humbjes së sigurt” dhe po përfshihen në aktivitete që cenojnë drejtësinë dhe barazinë zgjedhore.
“Në ditët e fundit, zyrtarë komunalë, të prirë nga Kryetari në ikje, po marrin pjesë në aktivitete të manipulimit politik. Në disa raste, në emër të organizatave humanitare, po shpërndahen pako ndihmash për të blerë ndërgjegjen e qytetarëve tanë,” thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Lipjan.
PDK ka ngritur shqetësime edhe për, siç theksohet, “fillimin fiktiv të punimeve për lagjen e kategorive të dala nga lufta”, duke pretenduar se projekti “nuk posedon as leje ndërtimi” dhe është “një gënjeshtër e radhës nga Kryetari në ikje”.
“Ky është fyerje e rëndë ndaj sakrificës së atyre që dhanë gjithçka për lirinë e vendit. Kryetarit në ikje i ra në mend vetëm tri ditë para zgjedhjeve të bëjë përurime dhe fotografi propagandistike, për të fshehur dështimet e një mandati plot paaftësi dhe mungesë transparence,” vijon reagimi.
Në fund, PDK në Lipjan ka theksuar se qytetarët “nuk do të mashtrohen më” dhe se “Lipjani meriton qeverisje të ndershme, transparente dhe të përkushtuar ndaj qytetarëve”.