
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë ka kritikuar për herë të dytë brenda pak ditëve kryeministrin Isa Mustafa lidhur me gjendjen aktuale në Mitrovicë.
PDK në Mitrovicë të shtunën mbajti një konferencë për media ku tha se Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës, dhe kryeministri Mustafa, janë fajtorët kryesor për gjendjen në Mitrovicë.
Përfaqësues të kësaj partie në Mitrovicë thanë se që të dy kanë dështuar të mbajnë premtimet për heqjen e barrikadave mbi lumin Ibër.
Ura mbi lumin Ibër planifikohej të lirohej për qarkullim të lirë më 15 qershor ashtu siç ishte dakorduar në Bruksel mes Kosovës e Serbisë. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
PDK në Mitrovicë edhe të shtunën e kaluar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të tregojë më shumë seriozitet ndaj veriut të vendit. Reagimi i tyre erdhi pas lajmit se Serbia do të financojë ndërtimin e rreth 300 shtëpive ku pritet të kthehen 1500 serbë në Zveçan./Insajderi.com