PDK s'ka përgjigje: Ftesës së Kurtit i përgjigjemi kur t'i vijë koha - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK s’ka përgjigje: Ftesës së Kurtit i përgjigjemi kur t’i vijë koha

    Insajderi
    08 April 2025 - 13:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Partia Demokratike e Kosovës ka dhënë sinjale të qarta se do ta mbështesë zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit në seancën konstituive që do të mbahet më 15 prill.

    Pas takimit të zhvilluar sot nga Kryetari në detyrë i Kuvendit, Glauk Konjufca, me nënkryetarët e partive opozitare, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, deklaroi se partia e tij është e gatshme të votojë kryetarin e ri të Kuvendit.

    “Jemi të gatshëm për ta votuar kryetarin e Kuvendit,” tha shkurt Ismaili pas mbledhjes së kryesisë.

    Sa i përket mundësisë për një takim me liderin e VV-së, Albin Kurti, për çështjen e qeverisë së re, Ismaili u shpreh se do t’i përgjigjen asaj ftese kur të vijë koha.

    Ai tha se pozicioni i PDK-së është i qartë, se besojnë se kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza mund ta krijojë qeverinë nëse këtë dështon ta bëjë LVV-ja.

    “Programi jonë dhe fushata jonë ka qenë përafruese dhe e hapur për të gjithë. Andaj, ideja e vijave të kuqe nuk do me thënë gjithnjë në kuptimin e koalicioneve, do të thotë në kuptimin e një diskutimi që mundet me ndodhë për diçka të caktuar, mirëpo kjo jo doemos sjell vija të kuqe për koalicion apo diçka të tillë. Nuk ka qenë ajo logjikë”, tha ai, duke komentuar një deklaratë të mëhershme të Hamzës.

    “Prandaj, si opozitë, kemi thënë, sa i përket formimit të qeverisë, i takon partisë e cila ka dalë e para, të krijojë, ta ketë aftësinë, bashkëpunimin, komunikimin, ta krijojë qeverinë. Në qoftë se nuk arrin, është obligim institucional i partisë së dytë që të ketë mundësi bashkëpunimi me partitë tjera”, tha ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark