
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi Qeveria në detyrë mori vendim për t’u ndarë studentëve nga 100 euro.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa shkroi në Facebook se Albin Kurti “i është kthyer praktikës së tij për t’u hedhur hi syve qytetarëve”.
“Studentët tanë nuk mashtrohen”, tha ai.
Mustafa tha se studentët në Kosovë kanë nevojë për shtet që funksionon.
“Albin Kurti, i cili të rinjve kosovarë po ua humb çdo shpresë për t’u zhvilluar e për të jetuar mirë në Kosovë, sot i është kthyer praktikës së tij për t’u hedhur hi syve qytetarëve, me nga 100 euro për studentët, në prag të zgjedhjeve. Studentët tanë kanë nevojë për një shtet që funksionon, që krijon mundësi reale për zhvillim dhe që siguron vende pune për një jetë me dinjitet”, shkroi Mustafa në Facebook.
Qeveria në detyrë ka ndarë sot – në prag të zgjedhjeve lokale – nga 100 euro për studentët. Gjithashtu ka miratuar edhe bursën e mobilitetit për studentët e nivelit bachelor, për t’i mbështetur ata që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.