Partia Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.
Nga PDK në këtë takim do të shkojë sekretari për organizim dhe zgjedhje, Betim Gjoshi, këtë e bëri të ditur Drejtori i komunikimit i Partisë Demokratike të Kosovës, Valmir Klaiqi.
“Nga PDK në takimin e thirrur nga Presidentja do të marrë pjesë sekretari për organizim dhe zgjedhje, Betim Gjoshi”, tha Klaiqi për Insajderin.
Për dallim nga PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë në këtë takim.
AAK lajmin e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media, ku ndër tjerash ka paraqitur edhe katër kërkesa.
Partia në krye të së cilës është ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria që menjëherë të shtyhet afati për targa.
Poashtu kanë kërkuar që të fillohet dialogu intensiv me serbët e Kosovës, të nis komunikimi edhe me opozitën dhe të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kujtojmë që në Veri pritet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme pasi kryetarët e katër komunave atje kanë dhënë dorëheqje pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.