Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me të Emisarin e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, në prag të takimit në Bruksel.
Detaje lidhur me këtë bisedë ka dhënë vetë Kurti, i cili ka treguar për çka kanë diskutuar.
“Përpara diskutimeve në Bruksel, pata një telefonatë produktive me të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, duke theksuar nevojën për një marrëveshje të përqendruar në njohjen e ndërsjellë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, Kurti e Vuçiq do të takohen në Bruksel, të enjten. Agjenda e takimit ende s’është bërë e ditur, por zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se në këtë takim parashihet të diskutohen dy pika kryesore, që janë elementet e një kornize të përgjithshme të marrëveshjes me Serbinë, me njohje reciproke në qendër dhe zhvillimet aktuale në vend.