
Ministri në detyrë dhe deputeti i VV-së, Faton Peci, ka deklaruar se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka treguar gatishmëri për të dalë nga bllokada politike, duke ofruar zgjidhje konkrete për konstituimin e institucioneve.
Sipas Pecit, përgjegjësia për zhbllokimin e situatës tashmë qëndron tek partitë opozitare.
“Tash unë nuk jam Astradamusi, mund të ketë risi. Ne jemi pushteti kujdestar, në detyrë, që do të thotë se ajo çfarë mund të presim për ndryshim, i takon kryesisht partive LDK, PDK, AAK dhe NISMA”, u shpreh ai për media.
Peci tha se të gjithë deputetët e VV-së që po marrin pjesë në seanca janë duke votuar në funksion të themelimit të institucioneve, ndërsa akuzoi opozitën për mungesë vullneti.
“Në dorë të partive që nuk kanë votuar deri tash është vendimi për të marrë pjesë apo jo. Deri sot, ato kanë treguar një qëndrim të ngurtë dhe mungesë vullneti për t’i dhënë Kosovës institucionet”, shtoi Peci.
Ai ritheksoi se Vetëvendosje si grup parlamentar ka ofruar alternativa për zgjidhjen e ngërçit, duke e konsideruar bllokimin aktual si përgjegjësi të drejtpërdrejtë të subjekteve opozitare.