×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Peci: Po tentohet futja e islamit politik përmes institucioneve shtetërore

    Insajderi
    10 August 2022 - 08:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori ekzekutiv i Institutit “Kipred”, Lulzim Peci, ka thënë se fushata e nisur së fundmi që në shkolla të lejohet bartja e shamisë, ka për qëllim që të fusë islamin politik përmes institucioneve shtetërore.

    Peci përmes një statusi në Facebook ka thënë se shpreson që Qeveria e Kosovës nuk do të ndryshojë udhëzimin administrativ, i cili siç ka thënë ai, e ndalon bartjen e uniformës fetare – shamisë në shkolla.

    “Shpresoj se Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë një gabim madhor duke e ndryshuar udhëzimin administrativ që ndalon bartjen e uniformës fetare – shamisë në shkolla, pasi me këtë karakteri sekular i vendit tonë do të goditet në themel, e me këtë edhe shtylla mbajtëse e identitetit shqiptar në vendin tonë”, ka shkruar ai.

    Ai ka treguar se çfarë sipas tij, qëndron pas kërkesës për lejimin e shamisë në shkolla.

    “Së pari duhet të shtrohet pyetja se çfarë agjende janë duke shtyrë ata që po e kërkojnë këtë gjë? A kemi këtu të bëjmë me të drejtat e njeriut, apo me atë që e ka emrin e vërtetë – futjen e islamit politik përmes derës së vogël në institucionet shtetërore? Unë jam i bindur që ka te bëjë me të dytën, që në thelb ka të bëjë me ndryshimin e karakterit sekular të Kosovës që do ta shkatërroj kohezionin shoqëror të popullit tonë. Këto çfarë po them, nuk janë hamendje, por është një bindje e ndërtuar nga hulumtimet në terrene të zhvilluara në vitet e fundit në shumë pjesë të Kosovës. Kjo agjende e shami-kërkuesve është afatgjate, dhe për çka gjeneratat e ardhshme, përmes transformimit të së cilave mëtohet të ndërrohet karakteri shoqëror dhe politik i vendit dhe popullit tonë. Ajo në thelb ka për qëllim trasimin e një agjende anti-perëndimore që është në kundërshtim me vetë bazamentin e civilizimit evropian të popullit shqiptar, dhe atë që përmes premisave te “vëllazërisë muslimane” ta metastazojë ideologjinë e ‘umasë muslimane’ që tani ka marrë përmasat e një ‘kombi global’, që nuk i njeh identitetet nacionale të kombeve të ndryshme”, ka thënë Peci.

    Sipas tij, agjenda e shami-kërkuesve është afatgjatë, anti-perëndimore dhe në kundërshtim me vetë bazamentin e civilizimit evropian të popullit shqiptar.

    “’Umaja muslimane’ tanimë është duke zënë rrënjë tek gjeneratat e reja. Një numër i konsiderueshëm i te rinjve i konsideron më të afërt myslimanët e një vendi te largët islam, si p.sh. Indonezisë, që kurrë nuk i kane takuar ne jetën e tyre, sesa një shqiptar të konfesionit tjetër, apo ateist”, ka shkruar Peci mes tjerash.

    Sipas tij, me këtë agjendë, do t’i plotësohen të gjitha dëshirat Serbisë dhe armiqve të tjerë të Kosovës.

    “Me këtë agjendë, do i plotësohen të gjitha dëshirat Serbisë dhe armiqve të tjerë të Kosovës, ashtu si iu janë plotësuar dëshirat Rusisë ndaj Çeçenisë, që nga një popull me nacionalizëm sekular, kur ishin nën udhëheqjen e gjeneralit Dudajev, dhe pothuajse e kishin pavarësinë në dore, u shndërruan në vasal të ndytë të Rusisë nën udhëheqjen e radikalit islamik Kadyrovit, që bashkëjeton me ortodoksinë ruse, dhe lufton kundër Ukrainës pro-perëndimore”, ka shkruar ai.

    Drejtori i KIPRED-it ka thënë po ashtu se asnjë nga vendet islame nuk e konsideron armik Rusinë e Putinit, ndërsa ata e respektojnë mbrojtjen amerikane, kryesisht prej frikës që e kanë nga Irani.

    “Prandaj, duhet ta vëmë gishtin në kokë, dhe të mos e shkatërrojmë të ardhmen e vendit dhe të popullit tonë, që e ka arritur lirinë dhe pavarësinë me shumë sakrifica dhe me ndihmën kyçe të perëndimit, aty ku e kemi edhe vendin si popull me civilizim evropian”, ka përfunduar ai. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark