
Lawrence Soper është arrestuar të mërkurën në qytetin e Pejës në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar.
Soper akuzohet për abuzime seksuale derisa ka qenë mësues në vitet e ’70-a dhe ’80-a në Britani. Mediat britanike kanë thënë se ish-kryemurgu nga Ealing, në Londrën perëndimore, tani në të 70-at, i ishte shmangur dorëzanisë më 2011 dhe për pasojë ishte lëshuar një urdhërarrest evropian ndaj tij.
Insajderi ishte mediumi i parë që raportoi për këtë arrestim, duke e zbuluar identifikimin e vërtetë të tij.
Për 4 apo 5 vjetët e fundit ai ka jetuar nën emrin Andrew Charles Kingston në një rrugë të izoluar në qendër të Pejës. Ai madje kishte mësuar edhe shqipen.
“U tronditëm”, ka thënë një fqinj, që nuk deshi të identifikohej.
“Më kishte thënë se ishte historian që po shkruante një libër për Kosovën. Ne madje i kemi dhënë edhe ëmbëlsira dhe mish kur organizonim pjekje mishi. Na kishte thënë se kishte pasur një grua që i kishte vdekur dhe se jetonte vetëm nga pensioni. Një njeri shumë i mirë”.
“Kurdo që ishte koha me diell, ai dilte në ballkon dhe lexonte libra. E shihnim si person të varfër dhe tradita jonë na thotë t’u ndihmojmë atyre që janë të vetmuar. Por nga mediat e kuptuam se kishim gabuar”, ka thënë një fqinj tjetër për Reuters.
Përmes dritares së shtëpisë ku jetonte Soper, mund të shihet buka e freskët në një qese plastike mbi frigorifer. Pjatat ishin lënë për t’u tharë mbi tavolinë.
Ai u kishte thënë fqinjëve se ka provuar të jetonte në Prishtinë, por atje kishte shumë zhurmë dhe pluhur. Ai e preferonte ajrin e freskët të Pejës, e rrethuar nga male, majat e së cilave edhe në këtë periudhë të vitit janë të mbuluara me borë.
Jeta sekrete e Soperit përfundoi kur policia i trokiti në derë këtë javë.
“Policia arrestoi këtë person pasi morëm informatën se ndaj tij ishte lëshuar një urdhërarrest evropian”, ka thënë Veton Elshani nga Policia e Kosovës, transmeton Koha.net. “Ai u vendos në paraburgim në pritje të ekstradimit të tij”.
Një burim qeveritar ka thënë se ekstradimi i tij mund të zgjas deri në pesë muaj nëse Soper e apelon vendimin.
Fqinjët hamenden se pse Soper e kishte zgjedhur Kosovën për të jetuar, një vend i varfër që u nda nga Serbia më 2008. /Insajderi.com