Antidroga e Policisë së Kosovës ka realizuar një aksion dje ku janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe ish-kandidatin për asamblist të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkodran Pulajn. Këtij të fundit, përveç çështjes me drogë, iu është ngritur aktakuzë më 2005-ën për “rrezikim të trafikut public” dhe më 2007-ën për “Pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.
Prokuroria Themelore në Prizren, pas interesimit të Gazetës Insajderi për të kaluarën kriminale të Pulajt, ka njoftuar se për njeriun e AAK-së janë ngritur dy aktakuza më 2005-ën dhe 2007-ën.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se pas shikimit në regjistrat dhe data bazën e kësaj prokurorie, është gjetur se personi me inicialet Sh.P., ka pasur dy raste të kryerjes së veprave penale, të cilat prokuroria i ka trajtuar dhe ka ngritur aktakuzë”, bëri të ditur për Insajderin zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmetaj.
Sipas Prokurorisë, rasti i parë ka ndodhur në vitin 2005, ku Pulajt i është ngritur aktakuzë për “rrezikim të trafikut publik”.
Ndërkaq, në rastin e dytë ish-funksionarit të AAK-së iu është ngritur një aktakuzë më 2007-ën për “Pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.
Gjykata Themelore në Prizren dje ka caktuar masën e të arrestuarit për Shkodran Pulajn dhe tre të arrestuarit e tjerë. Sipas gjykatës, Pulaj do të hetohet edhe për mbajtje të armës pa leje.
“I pandehuri Sh.P., Nga koha e pavërtetuar e deri me datë 05.09.2023, ka poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, në atë mënyrë që me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit në shtëpinë e tij, janë gjetur një pushkë gjuetie, dy tytëshe, horizontale me numër serik …….- 64, nëntë fishek të kalibrit të pa njohur të pistoletës, një kafk e pistoletës me numër serik ….., një kuti municioni brenda saj me dhjetë fishekë të pistoletës të kalibrit të pa njohur, njëmbëdhjetë fishekë të kalibrit të pa njohur, për të cilat nuk ka pasur leje nga organi kompetent i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës., si dhe janë gjetur pjesët përcjellëse si: një sprej për pastrim të armëve, një kuti plastike me brusha për pastrim të armëve të zjarrit dhe një rripë fotrollë për vendosjen e karikatorëve ngjyrë e zezë”, u tha në vendimin e gjykatës.
Gazeta Sinjali raportoi për një afërsi ndërmjet Pulajt dhe ish-shefit të Antidrogës, Enver Bujarit, për të cilën Insajderi do t’ju sjellë detaje ditëve në vijim.
Lajmi për arrestimin e Shkodran Pulajt duket se nuk i pëlqeu fort njeriut tjetër të AAK-së, Lulzim Kabashi. Ish-kryetari i këtij subjekti politik dega në Prizren, kanosi stafin e mediumit lokal në Prizren ‘RTV Besa’ pasi iu publikua një foto e Kabashit me Pulajn.
Drejtori i ‘RTV BESA’, Muhamet Fusha, mbrëmë për Gazetën Insajderi, ka njoftuar për veprimet banditeske të Kabashit.
“Zotëriu në fjalë ka shiku me hy brenda në televizion, dera ka qenë mbyllë. E ka gjete një hyrje nga lokali që është i vëllait, ka hyrë nga aty dhe ka shkuar naltë tek punëtorët për një lajm që e kemi publiku. Ai lajm është publikuar nga të gjitha mediumet. Ka thënë ku është drejtori, ka kërkuar edhe stafin të tjerë, veç dy punëtorë kanë qenë. Ka fillu me shamje me kërcënime që s’përdoren… Ka thënë “Do të vras e do t’ju mbys, do t’ju prej kokat, pse e keni postu?”, ka bërë të ditur ai për Insajderin.
Fusha ka bërë të ditur se Kabashi ka shkuar në redaksinë e ‘RTV Besa’ edhe pas dy orësh.
“Personi ka ardhë edhe pas dy orësh, ora katër ka qenë, me një fjalor shumë kërcënues dhe ka bërtit. Pas 10 minutave ka dalë dhe më ka thënë se le të më kontaktojë edhe drejtori. Nja një ditë s’kanë mujtë me e zënë, nuk ia hapte telefonin policisë. Unë u interesova edhe një herë, i pyeta policinë se a ka ndonjë gjë dhe më thanë jo, s’po mundemi me u qasë. Punëtorët ishin frikësu shumë”, deklaroi ndër të tjera drejtori i mediumit.
Ramush Haradinaj, Shkodran Pulaj dhe Lulzim Kabashi më 2019-ën: