Me rastin e festës së Bajramit, prodhimi ditor i bakllavasë në Turqi, që normalisht arrin sasinë një mijë tonë, pritet të rritet prej tre deri në katër mijë tonë.
Tregjet e Turqisë do të mbushen me lloje të ndryshme të bakllavasë me ardhjen e festës së Bajramit.
Mehmet Yildirim, kryetar i Shoqatës Turke të Prodhuesve të Bakllavasë dhe Ëmbëlsirave tha se punët në këtë sektor shtohen me afrimin e Bajramit.
“Prodhimi ditor i bakllavasë në Turqi është mesatarisht një mijë tonë, prej të cilit vetëm në Stamboll prodhohen dhe konsumohen 200-220 tonë, ndërsa kjo shifër rritet për 80 për qind në muajin e Ramazanit”, theksoi Yildirim për Anadolu Agency.
Ai theksoi se bakllavaja është pjesë e rëndësishme e kulturës dhe kuzhinës turke dhe pjesë e pandashme e sofrave të Ramazanit dhe Bajramit.
Yildirim tha se konsumatorët blejnë bakllava në sasi të mëdha duke filluar një ditë para Bajramit.
“Ne parashikojmë se vetëm gjatë festës së Bajramit sasia e konsumuar e bakllavasë do të rritet për tre deri në katërfish. Ndërkaq, për sa i përket Stambollit, presim që brenda ditës të konsumohen një mijë tonë bakllava”, tha Yildirim.