Anekënd rajonit Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq njihen natyrshëm për antagonizëm me njëri tjetrin. Që të dy në vitet e nëntëdhjeta ishin në të njëzetat e tyre, por krejtësisht të kundërt në fabrikun mendor. Njëri, asokohe, shprehej se “nuk do të kapte kurrë armë në dorë” ndërsa tjetri lutej ta linin “të kapte armët në dorë”, shkruan Insajderi.
Derisa Kurti, asokohe, ishte student e pacifist, Vuçiq ishte radikal dhe kërcitës armësh. Derisa Kurti ishte sekretar i Adem Demaçit, tjetri ishte sekretar i Vojisllav Sheshelit dhe ministër i propagandës së Sllobodan Millosheviqit.
Kaq për të shënuar kontrastin historik mes tyre.
Studenti protestues ndaj regjimit të Milosheviqit në aktivist kundër “neo-kolonializmit” ndërkombëtar; në kundërshtar të negociatave për statusin e Kosovës me Serbinë; në avokues të parimit të vetëvendosjes së popujve; në nacionalist të majtë e projektues për bashkim kombëtar […] në kryeministër, sot ka para vetes kundërthënien historike të tij – Aleksandar Vuçiqin – me të cilin historia, në kontigjencën apo ironinë e saj, ia kërkon arritjen e një marrëveshje.
Njëzet e dy-tri vite më vonë, Ndërmjetësi i Dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, megjithë kontradiktat e lartëpërmendura, flet për “atmosferë respekti” mes tyre, dhe atë për të dytën herë; ndonëse asnjëherë, publikisht, nuk ka ndodhur as ndonjë dorështrëngim i natyrës formale, shkruan Insajderi.
Çfarë thotë Lajçaku për “respektin e ndërsjellë” mes liderëve?
Në takimin e Nivelit të Lartë më 18 gusht të vitit të kaluar në Bruksel, Lajçak pati thënë se kishte mbizotëruar “atmosferë respekti” mes dy liderëve dhe se ata kishin folur haptazi “për herë të parë”.
Duke për folur për median serbo-amerikane “The Pavlovic Today”, Lajçak tha se “në herat e kaluara, në veçanti në takimet e fundit, ka pasur atmosferë respekti”.
“Kaluam më shumë se tetë orë në takim, pra mund ta imagjinoni që [atmosfera] është shumë e hapur”, tha Miroslav Lajçak.
Gazetarja Ksenija Pavlovic McAteer e pyet Lajçakun për një gjë që ndërtohet “mbi respektin”.
“A munden Kurti dhe Vuçiq të bëhen miq?”.
Këtu Lajçak ndalon për një sekond, por përgjigjet se ndonëse nuk ka miqësi mes tyre, respekti nuk mungon.
“Shikoni, miqësia është kategori tejet e veçantë. Miqësia s’bëhet me detyrim. Çfarë është me të vërtetë e rëndësishme është të ketë respekt për njëri-tjetrin. Dhe ata ia tregojnë njëri tjetrit këtë respekt”, tha ndërmjetësi sllovak.
Por, thotë ai, “në deklarimet publike ka hapësirë për përmirësime”.
Deklarata e Kurti që ishte lexuar si “shfajësuese” për Vuçiqin
Ishte muaji maj i vitit 2022 dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në “Atlantic Council” ku dha një frazim krejt tjetër nga çfarë shprehej më herët për kohën kur Vuçiq ishte ministër serb i propagandës.
“Vuçiq s’do të duhej ta kishte të vështirë të distancohej nga Millosheviqi, ngase ai s’e ka konsultuar kurrë […] Mund ta imagjinaoj që Millosheviqi kurrë nuk e ka konsultuar Vuçiqin”.
Një deklaratë e tillë ishte lexuar për “shfajësim” të Vuçiqit dhe të kaluarës famëkeqe të tij, dhe kishte jehuar në debatin publik si një “tentim për të shfajësuar Aleksandar Vuçiqin”.
Megjithatë, këto përbëjnë përjashtimet e jo rregullin.
Cili është “rregulli” në marrëdhëniet publike mes dyve? Mosdurimi, denoncimi, shpërfillja, antagonizmi i ngurtë.
Aleksandar Vuçiq, madje në një shpërthim të paprecedentë nervash në transmetim të drejtpërdrejt në “Tv Pink” e pati quajtur Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, “llum terrorist”, ndërsa në një seancë parlamentare “pendohej” për vendimin e autoriteteve serbe për ta liruar Albin Kurti nga burgjet serbe.
Këtë të hëne, prej të dyve, ShBA dhe BE pret pajtimin për Udhërrëfyesin e Zbatimit të Planit evropian për Normalizim të Marrëdhënieve./Insajderi/