Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit do t’i duhet të përballet me një aktakuzë për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Siç shkruan Koha.net, ndaj Muhxherit është ngritur aktakuzë për shkak se nuk e respektoi vendimin gjyqësor ta kthente në punë drejtorin e auditimit të brendshëm, Hysni Selmanaj.
Aktakuzën ndaj kryetarit të Pejës e ka ngritur Prokuroria Themelore e kësaj komune, ngase më 24 mars të vitit 2016, Muhaxheri ka refuzuar ta ekzekutojë vendimin e Gjykatës së Apelit.
“I pandehuri nuk e ka ekzekutuar vendimin në fjalë, ndonëse ka qenë i obliguar që vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës ta respektojë në tërësi, duke e kthyer të dëmtuarin H.S. në vendin e punës, drejtor i Auditimit të Brendshëm me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, e duke ia paguar 50% të pagës nga dita e pezullimit deri në zbatimin e këtij vendimi”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Pejës.
Hysni Selmanaj, Drejtor i auditimit të brendshëm, pati folur disa herë rreth keqpërdorimeve të Muhaxherit. /Insajderi.com