Gazeta Insajderi ka zbuluar emrat e tre të arrestuarve në aksionin e djeshëm të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në komunën e Prizrenit.
Gazeta Insajderi
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ka realizuar dje një operacion ku ka ndaluar pesë persona.
Gazeta Insajderi ka zbuluar emrat e tre të arrestuarve, që janë: Shaban Ademaj, pronar i një biznesi në Prizren, Raim Xhaferi, zyrtar për komunitetin boshnjak në Podgorje, Asim Imeri, zyrtar për komunitetin boshnjak dhe goran – në qyteti dhe në Zhupë.
Ademaj dyshohet se nuk ia kishte dorëzuar në tërësi materialet ndërtimore së paku tri familjeve në nevojë, në Prizren
Veprën penale, ai dyshohet se e kishte kryer në bashkëpunim me katër zyrtarë të komunës së Shaqir Totajt.
Të arrestuarit dyshohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi të dokumentit zyrtar”, ndërsa me Aktvendim të prokurorit të shtetit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, shkruan Gazeta Insajderi.
Aksioni për kapjen e këtyre personave është zhvilluar pas dyshimeve të evidentuara nga Zyra e Auditorit se zyrtar nga Zyra për Kthim dhe Komunitete ne Komunën e Prizrenit, janë të përfshirë në veprat penale lidhur me tenderin “Furnizimi me material ndërtimor për ndërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komunitetit minoritar në Komunën e Prizrenit”.
Lexo edhe:
Cilat janë gjetjet e Auditorit?
Rregullorja për shpenzimet e parave publike, në nenin 23 përcakton se, pranimi i mallit/ shërbimit bëhet nga zyrtari/komisioni i autorizuar. Përveç kësaj, kushtet e kontratës përcaktojnë se pagesat do të bëhen në bazë të furnizimeve të cilat ofrohen nga operatori ekonomik dhe aprovohen nga organi mbikëqyrës.
Për kontratën “Furnizimi me material ndërtimor për familjet skamnore dhe rasteve sociale”, për 37 përfitues, më datë 16.12.2021 është kryer pagesa në shumën 98,235€, për të cilën komisioni për pranimin e materialit, më datë 10.12.2021, ka konstatuar se materiali është pranuar si në sasi ashtu edhe në cilësi.
“Dokumenti i pranimit ishte nënshkruar edhe nga mbikëqyrësi kryesor. Sipas ekzaminimit (për shtatë përfitues), kemi vërejtur se në dy raste, materiali ndërtimor nuk ishte dërguar tek përfituesit edhe pse ekziston fletëdërgesa në emër të tyre. Vlera e materialit të paguar dhe pa pranuar të rasteve të ekzaminuara është 10,783€”, thuhet në Raportin e Auditorit, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas komisionit të pranimit të mallit është nënshkruar raporti për pranim pa verifikuar paraprakisht duke konsideruar se fatura duhet të paguhet me qëllim që mjetet të mos shkojnë si suficit.
Si rrjedhojë e këtyre veprimeve të personave të dyshuar, Komuna e Prizrenit kishte paguar faturat sipas listave të propozuara, duke dëmtuar në radhë të parë familjet skamnore si përfituese, si dhe Komunën e Prizrenit si autoritet kontraktues.
“Ekzekutimi i pagesave për rastet e cekura më sipër është në kundërshtim me rregullat/kontratën, po ashtu, rritë rrezikun që përkundër pagesës së materialit të mos furnizohen fare. Në këto raste rrezikohet arritja e vlerës për para dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve”, shkruan në Raportin e Auditorit, transmeton Gazeta Insajderi.
Sipas Auditorit, Kryetari duhet të sigurojë mbikëqyrje dhe kontrolle adekuate/ rigoroze mbi kontratat për projekte kapitale dhe mbi komisionet/organet mbikëqyrëse të punëve/materialit të furnizuar. Po ashtu, menaxhmenti të shtojë mekanizmat për kontroll më të avancuar në mbikëqyrjen e kontratave dhe pagesave për projektet e tilla.
Lexo edhe:
Kush është Shaban Ademaj?
Ai e udhëheqë biznesin B Ademaj SH.P.K., i cili figuron i regjistruar në ARBK që nga viti 2020. Ademaj ka në pronësi 100% të aksioneve të ndërrmajrres që bazën e ka në Prizren.
Kompania në fjalë si fushëveprimtari të parë e ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërsa si punë të dytë e ka suvatimin e objekteve, shkruan Gazeta Insajderi.
Ademaj përmes biznesit të tij e kishte fituar kontratën për “Furnizimin me material ndërtimor për familjet skamnore dhe rastet sociale”.
Vlera e përgjithshme e kontratës kapte shumën e afro 100 mijë eurove./Gazeta Insajderi/