Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar sot familjen e ish- presidentit të ndjerë të Kosovës Ibrahim Rugova.
Vizitën, Abdixhiku e bëri për nder të ditëlindjes së 80-të të tij. Ai u prit ngrohtësisht nga familja Rugova.
Abdixhikun në vizitë tek familja Rugova e shoqëruan udhëtarët e bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit, Alush Gashi dhe Muhamet Hamiti.
“Në 80 vjetorin e lindjes së Atit Themeltar të Republikës së Kosovës, Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, vizitova zonjën Fana dhe familjen Rugova. Vizitën e bëra i shoqëruar me udhëtarët e bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit; udhëtarë e bashkëpunëtorë të mi edhe sot, profesor Alush Gashin dhe profesor Muhamet Hamitin”, ka shkruar ai.
Abdixhiku tha se sikurse çdo vit, gruaja e ish-presidentit Rugova kishte përgatitur ëmbëlsirën e preferuar të bashkëshortit të saj të ndjerë.
“Në traditën tashmë të përvjetme të shënimit të kësaj ditëlindjeje, zonja Fana kishte përgatitur ëmbëlsirën Tiramisu, të preferuarën e Presidentit; të shijuar për herë të parë në Romë. Presidenti ka vetëm ditëlindje! 80 vite më parë, lindi shqiptari më i madh i kohërave. Pjesa tjetër është një histori e paarritshme, e papërsëritshme. Ajo na qëndron sot si dritë udhërrëfyese për të bërë të ardhmen!”, shkruan kreu i LDK-së.