“Shumica e fëmijëve tanë janë këtu për kryerjen e krimit, me akuzë vjedhjen e ushqimit”, thotë zyrtari i lartë i shërbimit të qendrës Wau, Altaf Hawa Bol. “Shumë prej tyre janë fëmijë nga vendet e tjera. Shumica e tyre nuk kanë familje”, vazhdon më tej Hawa Bol, shkruan The Guardian.
Aty sheh djemtë e rinj që shkelmojnë një top futbolli rreth oborrit me baltë të institucionit të paraburgimit për të mitur, Wau, raporton Insajderi.
Një grup djemsh të vjetër ulen në një qoshe teksa bisedojnë, e vështrojnë një roje burgu me nervozizëm. Diku në sfond një fëmijë mund të dëgjohet duke ulëritur.
“Ndoshta ata shkuan në një restorant dhe porositën disa ushqime që kushtojnë një ose dy funte, por nuk kishin para dhe u përpoqën të largoheshin pa paguar. Ata u kapën nga pronari, që i kishte dërguar në polici. Apo ndoshta disa të tjerë vodhën një këmishë nga tregu. Këto janë histori të zakonshme, se si ata përfundojnë tek ne”, tha Hawa Bol.
Qendra e paraburgimit Wau në rajonin Bahr el Ghazal në veri-perëndim të Sudanit të Jugut, është e vetmja strukturë riedukimi i këtij lloji në vend.
Shtëpitë e objektit janë të mbushura me 45 djem, të moshës mes 10 deri 18 vjeç. Disa janë të burgosur në akuza për vrasje apo përdhunim. Por, shumica janë kriminelë që vuajnë dënime prej më pak se gjashtë muaj. Pothuajse të gjithë kanë qenë këtu më shumë se një herë.
Adim është një 17 vjeçar dhe në është në herën e tij të dytë. Ditën e parë, në moshën 14 vjeçare, ai u dënua për përdhunim dhe ka qëndruar dy vjet në qendrën e paraburgimit Wau.
Ai thotë se edhe pse nëna e tij jeton diku afër ai nuk e di ku është, ose se si ta gjejë atë. Pasi u lirua nga qendra Wau ai e gjeti veten duke jetuar në rrugë.
“Ky është një vend i mirë. Nuk është si një burg i rëndë ku është shumë e vështirë për të jetuar. Gjithçka është në rregull këtu. Unë ndihem i sigurt”, deklaroi Adimi 17 vjeçar.
Jehanne Henry, zyrtare e lartë e organizatës që lufton për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” për Afrikë, thotë se të burgosurit në Sudanin Jugor ka kohë që janë në situatë të vështirë.
“Sistemi i drejtësisë penale është i mbushur me aktakuza abuzimi, duke përfshirë mungesën e procesit të duhur, pra të shpejtë. Është një problem kronik.
“Shumica e fëmijëve dërgohen në burgjet e të rriturve. I kam parë fëmijët të përzier në burgje ku ka edhe të sëmurë mendorë që kane kushte të tmerrshme. Mjerisht, çdo përpjekje për të përmirësuar sistemin e drejtësisë në Sudanin Jugor është shuar pas konfliktit të fundit civil në vend”, shton Henry.
Sudani Jugor është shteti më i ri në botë, i cili e ka fituar pavarësinë në vitin 2011, ka gjuhë zyrtare anglishten dhe ka rreth 12 milionë banorë.