
Pesë zyrtarë policorë në Lipjan janë suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës, në kuadër të hetimit për rastin e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, i cili vdiq pas arrestimit mbrëmjen e së hënës. Në mesin e zyrtarëve policorë të suspenduar ishte edhe Artidon Konxheli, kundër së cilit ishte deponuar së fundmi një ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe kallëzim penal kundër tij.
Ibrahim Nela – Rreshter në Stacionin Policor Lipjan – DRP Prishtinë, Artidon Konxheli – Zyrtar në SP Lipja, Liridon Rrahmani – Zyrtar në SP Lipjan, Albian Ratkoceri – Zyrtar në SP Lipjan, Endrit Beqiri – Zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj – DRP Ferizaj u suspenduan nga IPK’ja pasditen e së hënës, pas vdekjes së dyshimtë të Zejnullahut.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë një kallëzim penal të deponuar në prokurori kundër policit Artidon Konxheli. Në këtë kallëzim penal, Konxheli dyshohet për mosveprim dhe moskryerje të detyrës zyrtare, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe pengim të administrimit të drejtësisë.
Qytetari në fjalë lajmëronte Policinë në Lipjan pasi në veturën e tij të parkuar pranë një marketi e kishte goditur dikush. Konxheli akuzohet bashkë me një polic tjetër që s’kanë hapur rast në vendngjarje dhe nuk kanë ndërmarrë masat procedurale të nevojshme për sigurimin e provave.
“Unë kam kërkuar në mënyrë të përsëritur që të sigurohen pamjet e kamerave të sigurisë të plota pa prerje të videos nga rrugët përreth. Zyrtarët policorë nuk kanë ndërmarrë hapa për sigurimin e këtyre pamjeve. Madje, më janë treguar vetëm disa sekuenca të shkurtra nga pamjet e kamerave, por nuk më është ofruar asnjë dokumentim i plotë dhe nuk më janë vënë në dispozicion pamjet e plota, duke më pamundësuar të mbroj të drejtën time dhe të vërtetën e ngjarjes“, thuhet në kallëzimin penal të cilin e ka parë Insajderi.
Insajderi ka arritur të shohë edhe një ankesë të deponuar në IPK për të njëjtin rast, por që ky institucion në qershor të këtij viti kishte marrë vendim që të mos e gjente përgjegjës për shkelje disiplinore policin Konxheli.
Ankuesi ka dërguar video në adresë të Insajderit, ku pretendon se polici Konxheli s’ishte sjellë në mënyrë profesionale dhe se ia kishte përplasur tavolinën në një moment. Insajderi s’ka arritur të konfirmojë autenticitetin e kësaj videoje. /Insajderi.org/