Pushteti asesi nuk e ka ndërmend të zmbrapset prej sulmeve ndaj përfaqësuesve të mësuesve grevistë. Së fundmi janë aktivizuar për t`i sulmuar brutalisht, dy pushtetarët nga Ferizaj, Ministri Hekuran Murati e deputeti Dimal Basha. Rrahman Jasharaj e Ymer Ymeri, ishin cak i sulmeve të tyre gjatë dy ditëve të fundit
Deputeti i partisë së pushtetit, Dimal Basha ishte kryepersonazhi për të keq ditën e mërkurë, për shkak të gjuhës së përdorur ndaj kryesindikalistit Rrahman Jasharaj gjatë raportimit në Komsionin Parlamentar për Arsim.
Basha, në këtë mbledhje ka fyer rëndë Jasharajn duke i thënë se e ka kthyer dinjitetin në para. Ai ka vazhduar më tej duke thënë se për shkak të grevës, SBASHK-u po mbanë peng fëmijët për 50 euro, shkruan Insajderi.
“I ke marrë fëmijët peng për 50 euro. Pse i don ti 100 euro. Dinjitetin e ke kthy në pare. A ke punu para luftës pa pare, tash për 50 euro i ke marrë fëmijët peng. Po piskas se nuk merr vesh ti ndryshe”, i tha Basha, Jasharajt.
Gjatë fjalës së tij anëtarët e SBASHK-ut i kishin kërkuar “të mos i japë zor”, ndërsa Basha është përgjigjur “Unë i jap sa dush zor se jam në shtëpinë time, në Parlamentin e Kosovës, unë t’i tregova zgjidhjet që i ka dhënë Qeveria e Kosovës”.
Rrahman Jasharaj, u detyrua ta lëshoj mbledhjen e komisionit pas këtyre fyerjeve që mori nga deputeti Basha.
Por, fjalosja mes dyshes me tone të larta vazhdoi edhe në korridorin e Kuvendit, aty ku Basha iu drejtua kreut të SBASHK-ut se po mbanë peng fëmijët për 50 euro.
Përplasja verbale mori fund kur Jasharaj i tha Bashës: “Mos, piskit, deputetët si ti e kanë pru Kuvendin në këtë gjendje”.
Pas dy ditësh, edhe mbledhja e dytë në komisionin e Arsimit ku ballëpërballë njëri tjetrit për të folur për grevën ishin përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe dy ministra të qeverisë Kurti – Ministri i Financave Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci – nuk kaloi e qetë, shkruan Gazeta Insajderi.
Veç se kësaj here sulmi ndaj sidikalistëve u bë nga Ministri Hekuran Murati, i cili që nga fillimi i grevës është munduar t`i shtypë ata duke i kërcënuar me ndaljen e pagës për muajin gusht.
Murati, e nisi me provokime mbledhjen e sotme të komisionit për Arsim, ndaj përfaqësuesit të SBASHK-ut, Ymer Ymeri. Murati deshi të dijë nëse Ymeri, ka afërsi me ndonjë parti, duke aluduar se për të është raportuar që është i afërt me subjekte të caktuara politike.
“Kisha disa pyetje për di”Nga ana e përfaqësuesve të Këshillit Grevist u tha se kush janë dhe çfarë pozita mbajnë, por mendoj se duhet t’i njohim më mirë. Prandaj kisha, për shkak se për zotin Ymeri është raportu se është më i afërt me disa subjekte politike, ndoshta do të ishte mirë…”, ka thënë Murati.
Një përgjigje të shpejtë ministrit Murati ia dha Ymeri, duke i thënë se ka dalë në Vetëvendosje qe dy ditë.
“Qe dy ditë në Vetëvendosje”, ka thënë Ymeri.
Kryesindikalisti Rrahman Jashati, është sharë, fyer e linquar që nga fillimi i grevës në muajin gusht.
Madje nga anëtari i VV-së Elvis Hoxha, Jasharaj u akuzua se është njëri që ka lidhje me parti politike në Serbi.
Pas këtyre akuzave të rënda të bëra nga Hoxha i Vetëvendosjes, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Rrahman Jasharaj. Ai ka treguar se akuzat e rënda të tij i kanë shkaktuar madje edhe telashe shëndetësore.
Pas reagimeve të ashpra në Kosovë rreth akuzve të Hoxhës, ky i fundit kishte kërkuar falje duke pranuar se ka shpërndarë fakenews.
“Nuk kam turp të kërkoj falje, sidomos nëse i kam rënë në qafë z. Rrahman Jasharaj duke u bazuar në një lajm të gabuar që u shpërnda nëpër media lidhur me personin dhe të shkuarën e tij. Nuk e di si qëndron e vërteta lidhur me këtë lajm. Siç duket informacioni, edhe pse i shpërdarë nëpër disa media, paska qenë i pakonfirmuar. Kështu që i kërkoj falje, jo thjesht, por falje me ndjenjë të lartë përgjegjësie”, pati thënë ai.
Kërkesat e Rrahman Jasharit, si përfaqësues i mësuesve i ka injoruar Qeveria e Kosovës. 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave, kanë kërkuar si masë për tejkalimin e krizës së rritjes së çmimeve, por qeveria që nga fillimi është deklaruar kundër.
Kurti pa i pritur fare në takim kishte dalur në një konferencë për media ku thoshte se kanë përgatitur një pako emergjente që të gjithë punëtorët e sektorit publik të ndihmosheshin me nga 50 euro përfshirë edhe mësuesit.
Rrjedhimisht si pasojë e mos plotësimet të kërkesave të grevistëve nga qeveria, është bërë një muaj prej fillimit të grevës e nxënësit ende nuk kanë mundur të fillojnë vitin e ri shkollorë. /Gazeta Insajderi