×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Për shkak të çmimit më të lart trotuari u shtrua me asfalt, tani çuditërisht po hiqet – Tenderi i majm që e fitoi dosti i Alban Hysenit

    Insajderi
    24 October 2024 - 15:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    248 mijë euro u ndanë për projektin e një rruge në Gjilanin e Alban Hysenit. Por, me punimet në këtë rrugë po ndodhin “çudira”. Në vend të kubëzave që kushtonin 1 euro, u shtrua asfalt me çmim 10 euro për metër katror. Nuk mbeti me kaq, brenda pak ditëve asfalti i shtruar po hiqet. Kompanitë fituese për këtë tender janë dy firmat e afaristit të njohur Fatlum Pireva. Insajderi ju sjell detaje të hollësishme.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Alban Hysenit të Gjilanit ka dhënë tender 248 mijë euro për projektin e rrugës “Adem Jashari”. Kështu kishte njoftuar edhe i pari i kësaj komune.

    Kompanitë fituese të këtij tenderi kishin qenë, “El-Bau” dhe firma “AVAG”. Pronari i të cilave është afaristi Fatlum Pireva.

    Sipas paramasave dhe parallogarisë në këtë rrugë, ishte e planifikuar që trotuari të shtrohet me kubëza të betonit, me trashesi prej 8 cm. Çmimi për një kubëz ishte 1 euro.

    Totali i komplet projektit kishte qenë 194. 073 euro.

    Mirëpo në realitet nuk ka ndodhur sipas paramasave. Trotuari në këtë rrugë është shtruar me asfalt.

    Pamjet më poshtë tregojnë qartë.

    Sipas paramasës, ceket çmimi për Furnizimin dhe punimi i shtresës së asfaltebetonit është 10 euro.

    Në këtë rast, çmimi është rritur në 10 euro për metër katror.

    Me 1 tetor, Alban Hyseni kishte dal me një njoftim, se shifra për projektin e rrugës “Adem Jashari” është 248 mijë euro.

    “248,000 euro kosto dhe rreth 800 metra gjatësi janë shifrat për projektin e rrugës “Adem Jashari”. Rrugë e re për automjete, trotuar i asfaltuar dhe i përshtatshëm për këmbësorët, rreth 80 vende parkimi përgjatë gjithë rrugës, si dhe pemë dekorative“, thuhej në postimin e Hysenit.

    Do të thotë që shuma ishte rritur për 53 mijë e 927 euro, më shtrenjtë sesa ishte në paramasë.

    Kjo nuk mbeti me kaq, vetëm pak ditë që u shtrua, sot kanë filluar ta heqin asfaltin nga trotuari.

    Në terren, gjatë punimeve janë parë punëtorë e makina punuese të dy kompanive, AVAG dhe El Bau.

    Më poshtë shihet teksa Alban Hyseni bisedon me punëtorin e kompanisë AVAG.

    Poashtu shihet edhe trotuari paraprakisht i asfaltuar, si dhe makina e kompanisë EL Bau.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Gjilanit, si dhe vetë kryetarit Alban Hyseni, se cila është arsyeja e shtrimit me asfalt e po ashtu cila është arsyeja tani e heqjes së këtij asfalti vetëm brenda pak ditëve.

    Ndërkohë që për një televizion, Alban Hyseni është tallur me këtë skandal, duke thënë se e kanë hequr asfaltin pasi nuk lejojnë të punohet gabim.

    “Ju lutëm, për 3-4 metra rrugë nuk ia vlen as të bëhet lajm. Ajo rrugë është në atë gjendje pasi ne nuk lejojmë që të punohet gabim”, ka deklaruar Hyseni.

    Edhe drejtori i shërbimeve në Gjilan, Kushtrim Ibrahimi, ka reaguar me një status duke thënë se e kanë larguar asfaltin pasi nuk i plotëson kriteret e kërkuara.

    “Pas inspektimeve në teren dhe vizitave të rregullta së bashku me menaxherin e kontratës kemi hasur në disa vërejtje në cilësinë e një pjese të trotuarit ku është punuar, së bashku me menaxherin e kontratës dhe operatorit ekonomik, kemi kërkuar që të largohet ajo pjesë e cila nuk i plotëson kriteret e kërkuar të asfaltit sipas kontratës dhe të intervenohet menjëherë me përmirësimin e cilësisë”, ka thënë ai.

    Kush është Fatlum Pireva, pronari i kompanive AVAG dhe El Bau?

    Dy kompanitë fituese kanë të njëjtin pronarë. Bëhet fjalë për afaristin Fatlum Pireva. Dy kompanitë e Pirevës kishin qenë pjesë e konsorciumit në tenderin për stadiumin e Gjilanit, cili përfundimisht dështoi, pasi kishte tendenca se Alban Hyseni, i përzgjodhi dostat e tij për t’iu dhënë mbi 15 milionë euro.

    Jo vetëm, Pireva ishte pjesë e konsorciumit të lotit dy për rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë i cili ishte ngarkuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale mashtrim.

    Fatlum Pireva së bashku me dy persona tjerë dyshohej si i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerë prej afro 3 mijë euro.

    Avokati i biznesmenit, Pireva më 31 maj të 2022-ës i kishte propozuar gjykatës që procedura penale ndaj tij të pushojë për shkak të parashkrimit. Propozim ky i cili ishte refuzuar nga prokurori e gjyqtari i rastit.

    Sipas gjykatës, të pandehurit dhe Fatlum Pireva akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

    Pireva kishte fituar një tender të dyshimtë në Komunën e Mitrovicës. Ndonëse Komuna e Mitrovicës kishte paraparë që ky projekt të kushtojë 600 mijë euro, fituesit e tenderit Bujar Shabani e Fatlum Pireva të akuzuar për mashtrim kanë ofruar çmimin prej 892.453 euro, që i bie afro 50% më shtrenjtë se vlera fillestare e ofruar.

    Me 31 maj, Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje i dha tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”.

    Pronarët e këtyre kompanive kishin ndërlidhje me njëri-tjetrin.

    Drejtues dhe sponsorët e klubit futbollistik Gjilani ishin përfitues të këtij tenderi, Pronari i kompanisë El-Bau, Fatlum Pireva dhe pronari i kompanisë “Demiri GartenBau GmbH” Qëndrim Demiri janë aksionarë në klubin e futbollit “KF Gjilani”.

    Përpos drejtueseve të klubit të Gjilanit përfitues doli të jetë edhe Bujar Shabani, miku i Hysen Durmishit të Vetëvendosjes, si dhe firma “AVAG” e cila është në pronësi të punëtorit të firmës tjetër përfituese të tenderit, kompanisë “El-Bau” të Fatlum Pirevës.

    Rreth rastit të trotuarit të asfaltuar kishte reaguar edhe Lulzim Behxheti.

    “S’duhet mu kon i lujt, mjafton mu kon maneken e mi bo qito budallakina n’Gilan”, kishte shkruar ai

    Reagim të ashpër kishte pasur edhe opozita, PDK’ja në Gjilan. Sipas tyre po bëhet krim me këtë rrugë.

    “Krim me tenderin e rrugës “Adem Jashari” në Gjilan

    Komuna e Gjilanit po vazhdon me devijimin e plotë të rrugës “Adem Jashari”, duke eliminuar të gjitha investimet e projektuara dhe të kontraktuara me operatorin ekonomik për ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore.

    Pastaj është bërë ngushtimin e trotuareve për të krijuar hapësirë të parkingjeve për autoshkollën “Kushtrimi” pronë e drejtorit të shërbimeve publike Kushtrim Ibrahimi.

    Sot ka filluar asfaltimi i trotuarit duke e ndryshuar projektin e kontraktuar sipas tenderit, ku në paramasë janë paraparë kubëza betoni me 1 euro m/2. Por mbikqyrësi i projektit ka kërkuar që të asfaltohet me çmim prej 10 euro m/2. (Shih paramasën). Të gjitha këto po ndodhin nga presioni i drejtorit të shërbimeve publike dhe me miratimin e kryetarit të komunës”, thuhej në reagimin e tyre. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark