
Përplasjet dhe tensionet brenda Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë po bëhen gjithnjë e më të dukshme, me zërat kritikë që tashmë po dalin hapur. Anëtari i kësaj partie në Mitrovicë, Musa Ajeti, ka reaguar ashpër duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Këshillit të VV-së në këtë qytet.
Sipas Ajetit, Këshilli aktual është formuar pa ndonjë proces transparent dhe të rregullt zgjedhor, pasi, siç thotë ai, “e ka zgjedhur vetveten”, pa thirrur mbledhje nëpër pika dhe pa përfshirë strukturat përkatëse të nëndegëve. Ai shprehet se një praktikë e tillë është ndjekur edhe në nëndegën ku ai mban postin e nënkryetarit, si dhe në mbi 80% të pikave të tjera.
Musa Ajeti nuk është një emër i panjohur për opinionin publik. Ai ishte pjesë e aksionit të VV-së në vitin 2016, para shtëpisë së atëhershme të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje pretendonte se ndërhyrja e policisë kishte qenë brutale, duke lënë Ajetin pa ndjenja pas një përplasjeje fizike.