Dy degë, ajo e Ferizajt dhe Pejës, kanë ndarë rrugët me drejtuesit e partisë GUXO dhe kanë vendosur që të shuajnë aktivitetin e tyre përkrahës ndaj Donika Gërvallës dhe Faton Pecit për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
Kjo si duket ka nervozuar Donika Gërvallën e cila ka dal me një reagim në “Facebook”, ajo aty tha se personat që nuk po përfshihen në listë janë ata që po shprehin mllef.
Sipas saj këta persona kanë privatizuar edhe strukturat partiake duke shuar degët.
Ajo në postim përmendi edhe mediat duke quajtur se raportimet për shuarjen e dy degëve si agresive.
“Para se të ngazëllehen ato media, të cilat me agresivitet të pazakonshëm dhe të panevojshëm sulmojnë Partinë Guxo, më lejoni të bëj një sqarim të shkurtër! Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë persona, të cilët kur nuk përfshihen, për arsye të ndryshme, në listën e kandidatëve për deputetë, tek atëherë aktivizohen e zgjohen. Mllefin, jo rrallë, e shprehin duke personalizuar e privatizuar strukturat partiake dhe duke pretenduar se partia po shuhet pse ata nuk janë në lista zgjedhore”, shkroi ajo.
Gërvalla shtoi se Partia Guxo ka në listë 15 kandidatë.
“Partia Guxo dhe e gjithë struktura e saj, dhe këtë e them me përgjegjësinë jo vetëm të bashkëkryetares së Partisë Guxo, por edhe si kryetare e Degës së Partisë Guxo në Pejë, sot është më e fortë, më e konsoliduar e më unike se kurrë.
Me listën tonë prej 15 kandidatësh, në partneritet me VV dhe Alternativën, në zgjedhjet e 9 Shkurtit do të fitojmë fuqishëm e do të vazhdojmë punët e mira për Kosovën”, përfundoi ajo.