Argjend Gjukaj, Besim Gjukaj, Edmir Tahirukaj dhe Çlirim Kurtulaj pritet të dalin para Gjykatës me 1 tetor të këtij viti. Tre prej dyshohen vrasje të rëndë në tentative ndërkohë mbi Argjend Gjukajn rëndon edhe vepra penale armëmbajtje pa leje. Ata dyshohen se sulmuan tre kamerierët e një shisha bari në Prishtinë. Gazeta Insajderi ju sjell historikun e këtij rasti.
Rasti ka ndodhur katër vite më parë, në 2020-en. Seancat ndaj tyre ndër vite herë-pas-here kanë dështuar të mbahen, si rrjedhojë me 1 tetor pritet të shihet se cili do të jetë epilogu i këtij rasti.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të cilën e posedon Gazeta Insajderi, Argjend Gjukaj, Besim Gjukaj, Emidr Tahirukaj dhe Çlirim Kurtulaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë tentuar t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit H.R, B.K dhe Sh.D, e me dashje kanë vënë në rrezik edhe jetën e njerëzve të tjerë, të cilët ndodheshin në lokal.
Si ndodhi rasti?
Mbrëmjen e 20 tetorit të 2020-ës, në lokalin Shisha Bar “Mileu” në lagjen Dardania në kryeqytet, të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarit H.R, B.K dhe Sh.D. Të tre këta kamerier në këtë lokal.
Të pandehurit, kanë hyrë në lokal dhe pasi që lokali nuk ka pasur vende të lira për t’u ulur dhe të njëjtit nuk kanë pasur rezervim, e ku i dëmtuari H.R ka biseduar me të pandehurit në atë mënyrë që t’i sigurojë një vend për t’u ulur dhe aty i pandehuri Besim debaton me të dëmtuarin H.R i cili sipas prokurorisë i thotë “nuk mundem me qu dikond pa u qu vetë me dëshirë dhe në momentin qe të qohet dikush, ju thirri juve edhe pse jena në përfundim të orarit“.
Dhe pikërisht këtu ka nisur gjithçka. Tonet janë ngritur.
I pandehuri Besim Gjukaj thuhet se i është drejtuar me fjalët “o p*** none” kamarierit dhe papritmas e ka goditur dy herë me boks në fytyrë, pastaj i pandehuri tjetër Argjend e godet prapa shpine të dëmtuarin Hashimin, 8 herë pa u ndalur me thikë. Në këto momente përfshihet edhe Çlirim Kurtulaj i cili poashtu e godet Hashimin me grushta e shqelma nëpër pjesë të ndryshme të trupit.
Pastaj goditet edhe kamarieri tjetër, B.K nga i pandehuri Besim Gjukaj – fillimisht me grushta në kokë dhe pastaj me shisha të barit. Aty vjen edhe i pandehuri Argjend që e godet me thikë 4 herë, në shpinë dhe njëherë në dorë, Blini goditet edhe nga i pandehuri tjetër, Çlirim Kurtulaj.
Këtu përfshihet edhe i pandehuri tjetër, Edmir Tahirukaj, i cili sipas aktakuzës, e godet me grushta dhe shqelma të dëmtuarin tjetër, Sh.D e i njëjti goditet edhe me shisha-nargille nga Besim Gjukaj, ndërkohë që Argjend Gjukaj i vërsulet viktimës me thikë, por që fatmirësisht arrinë të largohet.
Në lokal kishte edhe klinentë të tjerë, rrjedhimisht edhe jeta e tyre ishte në rrezik nga të pandehurit.
Pas veprimeve kriminale të tyre, të njëjtit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë Golf 7.
Si rrjedhojë, i lënduar rëndë mbeti i dëmtuari H. R, ndërsa të dëmtuarit tjerë B.K dhe Sh.D pësuan lëndime të lehta trupore.
“…ku nga kjo ngjarje i dëmtuari H.R ka pesuar lendime të renda trupore si; Hematopneumotoraks traumatik në të dy anët si pasoj e plagëve prerese shpuese në regjionin e shpinës me ndërhyrës operative të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit te forte dhe i mbprehtë; i dëmtuari B.K ka pesuar plage prerëse e shpuese në shpinë dhe parakrahun e majtë të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fort mprehtës, ku si të tilla bëjnë pjesë si lëndime të lehta trupore; ndërsa i demtuari Sh.D ka pësuar si ndrydhje në kokë dhe në shuplakën e dores se djathte të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë mbrehtës (jo i mpreht), ku si të tilla bějnë pjesë si lëndime të lehta trupore”, thuhet në aktakuzën që e posedon Insajderi.
Rasti kishte ndodhur më 23 tetor 2020, ndërkaq Prokuroria Themelore në Prishtinë kallëzimin penal e ka pranuar me datë 12 janar të 2021-ës ku edhe kishin nisur hetimet në drejtim të veprave penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm, duke mohuar se kanë rrahur ose therur dikë anipse video-incizimet ekzistonin.
Gazeta Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…