Një “luftë” ka shpërthyer mes Federatës së Notit dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, shkak përfaqësimi i Adell Shaboviqit në emër të Kosovës në Lojërat Olimpike. Federata po kërkon tjetër përfaqësues. Komiteti Olimpik ka vendosur për Shaboviqin. Insajderi ju sjell detajet.
Të premten, Federata e Notit përmes një konferencë për media njoftoi se vazhdon ta kundërshtojë Adell Shaboviqin si përfaqësues të Kosovës.
“Skandali sportiv – skandali i përfaqësimit në Lojërat Olimpike Paris 2024, me sportistin Adell Tsakhilov Sabovic si përfaqësues i RKS”, shkruante në ftesë të Federatës së Notit të Kosovës për një konferencë të planifikuar për të hënën.
Mes tjerash aty thuhej se Komiteti po ia shkatërron karrierën sportistit më të mirë në historinë e notit të Kosovës, Mal Gashit.
Kjo Federatë insiston se Mal Gashi duhet ta përfaqësojë Kosovën në Paris.
“…qëndrimi zyrtar dhe vendimi final i FNK-së është: Adell Sabovic nuk është përfaqësues i FNK në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe FNK-ja kundërshton dhe do të ndërmerr veprime juridike për të parandaluar përfaqësimin jolegjitim të z. Adell Tsakhilov Sabovic”.
Sipas asaj që shkruan FNK-ja, kjo federatë ka njoftuar MKRS-në, presidencën, Qeverinë e Kosovës, Këshillin për Sport dhe të gjitha institucionet e përfshira “se ky skandal duhet të parandalohet dhe të merren masa adekuate”.
Insajderi ka kërkuar, të hënën nga Federatë të dijë nëse kanë pranuar ndonjë përgjigje nga institucionet e sipërpërmendura, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
“Akuza trilluese” – Komiteti Olimpik i kërkon FNK-së të merret me World Aquatics
Akuzat e Federatës së Notit, Komiteti Olimpik i ka cilësuar si trilluese, duke thënë se Shaboviq është renditur si sportisti me më së shumti pikë.
“Komiteti Olimpik i Kosovës me shqetësim të madh ka ndjekur akuzat trilluese nga Federata e Notit e Kosovës në lidhje me përbërjen e listës së ekipit olimpik të Kosovës që do të përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Olimpike Paris 2024. Në vend se të kërkojmë fajtorin përse nuk kemi ndonjë normë olimpike e nuk jemi as afër saj në sportin e notit, FNK hedh lumë akuzash në drejtim të KOK-ut, për përfaqësimin e sportistit me më së shumti pikë FINA në konkurrencën e meshkujve, Adel Shaboviq, i cili bashkë me Hana Beiqi, përfaqësojnë notin e Kosovës me ftesë të univerzalitetit në LO Paris 2024“, thuhet në reagimin e tyre.
KOK, tutje sqaron se sipas tyre “...se akuzat për përfshirjen në listë të Adellit janë krejtësisht të pabaza dhe tendencioze, përmes të cilave drejtuesit e FNK-së dëshirojnë të hedhin ‘gishtin’ tek KOK-u për të dalë mirë para hisedarëve të saj“.
Komiteti Olimpik bën me dije se për renditjen që i është bërë Adell Shaboviqit në dijeni ka qenë qysh nga fillimi kryetari i FNK-së, Agron Zeqiri.
“Sportisti Adell Shaboviq është paraqitur në listën e Federatës Botërore të Sporteve të Ujit (World Aquatics) në renditjen e sportistëve të Kosovës në qershor të vitit 2024, gjë për të cilën edhe KOK ka kërkuar sqarim nga World Aquatics, e ku si përgjigje nga kjo e fundit ka pranuar letrën nga kryetari i FNK-së, Agron Zeqiri“.
Ndërkohë që askund në reagimin e KOK-ut nuk përmendet emri i sportistit, Mal Gashi, në anën tjetër potencohet se Shaboviq ka të drejta të plota në përfaqësim.
“Në këtë shkresë të nënshkruar dhe të vulosur nga Zeqiri dhe FNK të datës 23 dhjetor 2023, theksohet që Adell Shaboviq është anëtar i Federatës së Notit të Kosovës me të drejta të plota të përfaqësimit në gara vendore dhe ndërkombëtare nga data 1 janar 2024, duke i konfirmuar gjithashtu disa ditë më vonë, përmes një tjetër komunikimi, se ai do të garojë për FNK bazuar në pikët FINA që do të ketë garuesi“.
Paraprakisht, sportisti ishte pajisur edhe me pasaportën e Republikës së Kosovës.
KOK, më 25 qershor 2024, dy ditë pas përfundimit të procesit kualifikues, ka pranuar letrën e World Aquatics, me listën e emrave të garuesve të Kosovës me më së shumti pikë FINA, që dalin të jenë Adel Shaboviq dhe Hana Beiqi.
Komiteti Olimpik insiston se përzgjedhja e përfaqësueseve nuk është bërë nga ta, “…dhe roli ynë ka qenë t’i pranojmë ose jo këta emra, pa pasur mundësinë e as arsyen për ndryshime, andaj adresa e vetme për ankesë të FNKsë në lidhje me këta emra ka qenë World Aquatics dhe jo shpifjet ndaj KOK-ut”, deklaron KOK.
Më tej, KOK ka kërkuar që gjuha e përdorur nga Federata e Notit ndaj sportistit Shaboviq, të mos kalojë në heshtje.
“Po ashtu, etiketimet e ndryshme dhe ofendimet në baza etnike, si dhe duke e quajtur edhe skandal përfaqësimin e vendit tonë nga ai dhe cenim direkt i interesave shtetërore të Kosovës, duke e shtyrë publikun të përdorë gjuhë të urrejtjes ndaj notarit 21-vjeçar, Adel Shaboviq, i cili ka prejardhje shqiptare (mbiemri i mëparshëm: Shabaj) nga Vitomirica e Pejës, ku edhe i jetojnë familjarë të tij, janë deklarime që më së paku i takojnë një federate, e të cilat nuk do të duhej të kalonin në heshtje!”
Përveç kësaj, ata po pretendojnë që Federata e Notit në Kosovë ka përdorur gjuhë kërcënuese edhe ndaj World Aqutics.
“Për fund, është po ashtu shqetësuese gjuha kërcënuese e komunikimit mes FNK dhe World Aquatics, ku kjo e fundit përmes një letre të siguruar nga KOK-u, sinjalizon kryetarin e FNK-së, Agron Zeqiri, i cili pretendon të jap informata të rrejshme në raport me World Aquatics dhe personat në krye të saj, kinse kanë bërë shkelje ligjore dhe joetike, si dhe kanë bërë veprime kriminale në raport me ftesën e dërguar për universalitet për sportistin Adell Saboviq”.
Përmes një letre, KOK pretendon se World Aquatics, ka njoftuar kryetarin e FNK, Agron Zeqiri se raporti do të dërgohet tek “Aquatics Integrity Unit”, e të cilët më tutje do të marrin vendimin karshi kryetarit të FNK-së.
/Insajderi