EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me organizatat tjera të shoqërisë civile ka realizuar performancën publike të titulluar “Shadërvan Parking”, përmes të cilit aktivitet ka tërhequr vëmendjen për çështjen e parkingjeve private në zonën historike të Prizrenit.
Në saje të kësaj performance, sheshi i Shadërvanit për një orë është shndërruar në parking të automjeteve, si reagim kundër parkingjeve private në Qendrën Historike si dhe rrënimit të shtëpive të vjetra dhe adoptimit të këtyre parcelave në parkingje, derisa në anën tjetër institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë veprime për zbatimin e ligjit.
Në kuadër të këtij aktiviteti në fillim të urës së Arastës dhe të Gurit janë vendosur shenjat e improvizuara “Shadërvan Parking”, shkruan Kult Plus.
Prej 34 parkingjeve brenda dhe rreth qendrës historike të Prizrenit, diku 25 janë krijuar me rrënimin e shtëpive të vjetra. Nga sipërfaqja e përgjithshme e parkingjeve del se vetëm 4.3 për qind janë parkingje publike, derisa 60.6 për qind janë private e 31.4 për qind janë parkingje joformale në trotuare e rrugë, që cenojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve.
Po ashtu institucionet përgjegjëse nuk kanë prodhuar zgjidhje për problemin e parkingut, ku rrjedhimisht sektori privat e ka marrë përsipër zhvillimin e kësaj veprimtarie, me një shpërndarje kaotike.
Prandaj, rekomandimi në këtë rast që i adresohet institucioneve përgjegjëse është hartimi i një plani të mobilitetit, me fokus të veçantë në transportin publik të qytetit dhe shtigjeve të çiklizmit, sikurse edhe ndërmarrja e masave ligjore kundër parkingjeve private, duke përfshirë edhe shenjëzimet e tyre që shfaqen si pengesë nëpër trotuare dhe rrugë.