Në atë që disa mbështetës e përshkruan si një ndryshim “natë dhe ditë” nga performanca e tij në debatin e së enjtes, presidenti i ShBA-së Joe Biden u zotua të premten se do të vazhdojë të luftojë kundër asaj që ai e cilësoi si një kërcënim ekzistencial për Amerikën.
Në ndalesën e tij të parë të fushatës pas debatit, Bideni tregoi një zë më të lartë dhe më dinamik në panairin shtetëror të Karolinës së Veriut në Raleigh.
“Unë e di atë që dinë miliona amerikanë, kur rrëzohesh, ngrihesh përsëri”, tha Bideni.
Gjatë fjalimit 15-minutësh, ai kaloi një pjesë të mirë të kohës së tij duke denoncuar ndershmërinë dhe integritetin e Donald Trumpit.
“Unë nuk eci aq lehtë sa dikur, nuk flas aq mirë sa dikur, nuk debatoj aq mirë sa dikur”, tha Bideni, duke iu drejtuar kritikave të përhapura për performancën e tij të së enjtes.
“Por unë e di atë që di. Unë di të them të vërtetën”, shtoi ai, raporton The Guardian.
Duke përsëritur një rresht nga debati, ai tha për Trumpin, rivalin e tij për Shtëpinë e Bardhë, “Kam kaluar 90 minuta në një skenë duke debatuar një djalë që ka moralin e një mace rrugice”.
Bideni shtoi: “Unë mendoj se ai [Trump] vendosi një rekord të ri për numrin e gënjeshtrave të thënë në një debat të vetëm”.